A po kërcënohet vendi nga radikalizmi, ekstremizmi i dhunshëm fetar dhe nga terrorizmi? Në Raportin e Progresit për RMV nga BE nënvizohet se vendi ka indikatorë realë që dëshmojnë rrezikun nga veprimtaritë ekstreme dhe terroriste (gjithnjë në emër të fesë islame)! Raporti tërheq vërejtjen se vendi duhet të bëjë më shumë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Kërkon që gjatë vitit 2022 vendi t’i përmbush të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian për sa i përket kësaj çështje dhe këtij rreziku real
Nga Valbon Osmani
Në një paraqitje të fundit televiziv, Shaqir Fetai, i vetëquajturi “reis” i BFI-së, mohon plotsisht se në Maqedoni ekziston kjo dukuri, ndërkohë që ka pasur arrestime dhe gjykime të personave radikalë që janë akuzuar për veprat e tyre terroriste në tentativë për të ngritur në ajër vende publike!
Në Maqedoninë e Veriut pjesa dërmuese e myslimanëve janë shqiptarë. Prej tyre, një numër i konsiderueshëm kanë marrur pjesë nëpër luftëra të huaja, në Siri e gjetiu! Sipas disa të dhënave thuhet se nga viti 2012 në zonat e konfliktit, janë larguar 143 shtetas të RMV-së, nga këta 69 janë kthyer ndërsa 38 janë vrarë. Janë pesë luftëtarë aktivë në zonat e konfliktit, ndërsa katër janë të burgosur në Siri. Në korrik të vitit 2021, 23 persona (katër burra, pesë gra dhe 14 fëmijë) u riatdhesuan nga Siria dhe Iraku. Aktualisht janë 11 luftëtarë të huaj terroristë në burg, 6 janë liruar nga burgu në vitin 2020 dhe asnjë në 2021!
Po pse Shaqir Fetai mundohet që t’i fshehë këto fakte, madje edhe publikisht të deklarojë të kundërtën e raporteve që përgatiten nga qendrat ndërkombëtare me relevancë të pamohueshme?
Pa dyshim që, ardhja e Shaqir Fetait në krye të BFI-së është realizuar ekskluzivisht përmes frymës ekstremiste dhe radikale, duke shkelur të gjitha aktet normative të Institucionit të vetëm islam në Maqedoninë e Veriut. Ç’është e vërteta, ky Institucion është i pari në rajon dhe më gjërë që doli me një Projekt të qartë dhe të përkrahur nga shumë faktorë ndërkombëtarë që kishte të bëjë me parandalimin e këtyre dukurive, me zhvillimin e fushatave sensibilizuese kundër pëfshirjes së myslimanëve të vendit në luftëra që nuk janë as interes fetar dhe as interes kombëtar si dhe të ngriten mekanizma dhe kapacitete që do të merren me risocializimin e të gjithë atyreve që do të kthehen nga këto vatra! Për këtë Projekt të vitit 2015 u fol me pietet madje edhe në Këshill të Evropës! Projekti u stopua, madje nga Shaqir Fetai as që zihet në gojë, pikërisht për faktin se dy projektuesit e tij u dëbuan nga puna falë hipokrizisë dhe strategjive neveritëse të Shaqir Fetait.
Në intervistën e fundit të Shaqir Fetait në një televizion nacional, ai pra, e mohoi kategorikisht se në vendin tonë ka ekstremizëm dhe radikalizëm fetar! E mohoi sepse është kjo periudha kur Shaqir Fetai, për ta shpëtuar pozitën e vet të kapur me tradhëti dhe komplot, do të nisë t’i legjitimojë dhe institucionalizojë turlifarë strukturash që në esencë dhe në veprim janë ekstremiste dhe shumë radikaliste duke mohuar organizimin institucional të jetës fetare, bazuar në aktet normative të Institucionit! Shaqir Fetai, duke e ndjerë veten të rrezikuar, i legjitimon ata, bashkëpunon me të njëjtit, ndaj dhe, mundohet ta ruaj “filozofinë” e tyre, duke kundërshtuar në mënyrë kategorike se në mesin e shoqërisë sonë vlojnë strukturat ekstreme!
Raportet ndërkombëtare me të tilla vërejtje, më së paku u bëjnë nder shqiptarëve myslimanë si dhe partive të tyre!
Mosangazhimi i të gjitha strukturave kombëtare dhe fetare në dedektimin dhe eliminimin e këtyre dukurive, përpjekja nonshalante për t’i legjitimuar dhe institucionalizuar, si nga ana e Shaqir Fetait, por edhe nga “myftiu” i Shkupit, Qenan Ismaili, është një sjellje që do ta dëmtojë rëdë çështjen shqiptare në vend dhe në rajon! Sepse, interesat e grupeve ekstremiste, interesat meskine të Shaqir Fetahave dhe të Qenan Ismailave, nuk puçen në asnjë element me interesat dhe strategjinë kombëtare të shqiptarëve por edhe të myslimanëve të rajonit.
Fakti që Shaqir Fetai, si “reis” fetar i një Institucioni me relevancë të pamohueshme, nuk është në një vijë me analizat dhe raportet e instancave më të larta evropiane, flet se ai dhe bashkëpunëtorët e tij aktualë janë me dy këmbë në atë “kazan” për të cilin flet edhe Raporti i fundit i Progresit të BE-së për RMV-në.
Shaqir Fetai, duke qen i handikapuar nga mënyra se si u katapultua në krye të BFI-së, duke qenë tërësisht i angazhuar në pritje dhe përcjellje të qytetarëve të rëndomtë “përkrahës” të tij, ai nuk e di se Maqedonia e Veriut ka një Strategji kombëtare për luftën kundër terrorizmit (2018-2022) dhe një Strategji për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm (2018-2022)! Po çka i duhen Maqedonisë së Veriut këto dy dokumente strategjike nëse është e vërtetë ajo që e thotë Shaqir Fetai se në vend nuk ka as ekstremizëm të dhunshëm dhe as radikalizëm! A e ka lexuar ndonjëherë Projektin STOP RadTerr i përgatitur qysh më vitin 2015 dhe që është absolutisht në një linjë me Planin Kombëtar për ri-integrimin, risocializimin dhe rehabilitimin e luftëtarëve të huaj të kthyer dhe anëtarëve të familjeve të tyre (gra dhe fëmijë), të miratuar në qershor të vitit 2020? Me gjasë, Shaqir Fetai e ka habitatin e vet ku jeton, ku e ndjenë veten se po rritet dhe se, për asgjë tjetër nuk i intereson!
Asnjë faktor relevant ndërkombëtar nuk flet për ndonjë punë konkrete të BFI-së as për angazhimin dhe përfshirjen e saj në luftimin dhe zhdukjen e këtye dukurive. Nga ana tjetër, Raporti flet për angazhimet e istitucioneve shtetërore: “Është bërë njëfarë përparimi në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin/goditjen e ekstremizmit të dhunshëm në përputhje me objektivat e përcaktuara në Planin e Përbashkët të Veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor dhe marrëveshjen dypalëshe zbatuese. Një plan kombëtar për riintegrimin, risocializimin dhe rehabilitimin e luftëtarëve të huaj të kthyer dhe anëtarëve të familjeve të tyre u miratua në qershor 2020, me qëllim zbatimin e prioriteteve të identifikuara për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit”, thuhet mes tjerash në Raportin e Progresit për Maqedoninë e Veriut.
Shaqir Fetai, në dëm të çështjes kombëtare, me vetëdije të plotë po e shndërron BFI-në në strumbullar të elementëve ekstremistë që e dëmtojnë shumë rëndë si çështjen kombëtare po ashtu edhe çështjen fetare islame në vend e më gjërë!
A mundet një njeri normal të dalë e të thotë se në Maqedoninë e Veriut nuk ka radikalizëm dhe ekstremizëm, ndërkohë që vendi, në përputhje me rekomandimet evropiane, ka ndërmarrur një sërë veprimesh!
A e di Shaqir Fetai se Qeveria e RMV-së, në seancën e mbajtur më 30 korrik 2021, ka sjellë Vendim për emërimin e Koordinatorit të ri nacional për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe zëvendës koordinator të ri nacional për luftimin e terrorizmit. Funksionet e tyre kanë nisur më 1 gusht 2021. Po pse, kur Shaqir Fetai e mohon se ka elemente të tillë për të cilat brengoset dhe angazhohet Qeveria?
Shaqir Fetai nuk e di, sepse është tërësisht në aut, se, janë formuar katër ekipe aksionale në njësitë lokale: Shkup-Çair, Gostivar, Kërçovë dhe Kumanovë (vendbanime shqiptare-myslimane) të cilët realizuan aktivitet vijuese:
– Janë mbajtur debate lokale për të rinjtë
– Janë përgatitur punime për analizën e politikave të vendit për ndërtimin e lidhjeve ndërmjet pushtetit qendror dhe lokal dhe liderëve fetarë
– Është mbajtur trajnim për ngritjen e kapaciteteve për pushtetet lokale, duke përfshirë edhe përfaqësuesit e shërbimeve të sigurisë
– Janë mbajtur dialogje për ndërtimin e besimit ndërmjet pushteteve lokale, shërbimeve për siguri të Qeverisë dhe udhëheqësve fetarë dhe komuniteteve fetare
– Është zhvilluar modul trajnimi për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm për ngritjen e kapaciteteve të organizatave lokale të shoqërisë civile dhe shoqatave rinore dhe sportive
– Janë mbajtur trajnime për ngritjen e kapaciteteve lokale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm për shoqatat rinore dhe sportive të organizatave të shoqërisë civile
– Është krijuar platformë e mbyllur online që u mundëson përdoruesve të dërgojnë, lexojnë dhe shpërndajnë dokumente përkatëse, punime kërkimore, ngjarje dhe të ngjashme.
Gjithë ky aktivitet, gjitha këto strategji e plane veprimi, madje, në Raportin e Progresit i sugjerohet RMV-së që për vitin 2022 të ndërmarrë edhe një sërë veprimesh ligjore e humane, kurse Shaqir Fetai thotë se në RMV “nuk ka as ekstremizëm dhe as radikalizëm”! Nuk ka sepse i ka legjitimuar duke i bërë pjesë të “institucionit” që e ka uzurpuar dhe që ka konstatuar se “BFI-ja qonka Institucion shumë i modh”, por, asesi të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se nuk ka kurrfarë kaçiku për ta drejtuar këtë Institucion! Megalomania dhe hipokrizia e tij tashmë ka nisur të bëhet edhe problem kombëtar, por edhe ndërkombëtar!
https://fb.watch/d9P_uGSmvt/