Intelektualiteti i përgjumur i teologëve tanë

Kur teologët nuk sfidojnë me guxim përditësimin e zhvillimeve negative (në BFI), ata në fakt e humbasin mundësinë për të ndihmuar në përparimin e mendimit moral e të fuqishëm të shoqërisë, e humbasin mundësinë për ta demonstruar faktorizimin e tyre si promotorë kryesor në zhvillimin e mendimit islam në vend e më gjërë

Nga Mr. Muharrem Kadriu

Në shoqëritë moderne, intelektualiteti është shpesh një përpjekje për të kuptuar dhe interpretuar botën që na rrethon, për të ofruar ide dhe mendime që mund të sfidojnë status quo-në dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mendimit dhe shoqërisë. Veç kësaj, intelektualiteti është edhe angazhim shpëtimtar përballë sfidave dhe dukurive të ndryshme, duke i tejkaluar ato si dhe duke ofruar zgjidhje fatlume. Por, çka ndodhë kur intelektualiteti “përgjumet” apo vihet nën komandën “i heshtur”?
Për ta kuptuar këtë fenomen, më së lehti bëhet nëse e kemi para sysh pozicionimin e teologëve tanë përballë imoralitetit të tmerrshëm që po ndodhë me Bashkësinë Fetare Islame në RMV, Institucion ky i cili ka aq shumë nevojë për intelektualitetin e intelektualëve-teologëve-profesorëve të vet.
Teologët, si individë që studiojnë dhe pasurojnë traditën fetare, shpesh kanë një rol të rëndësishëm në shoqëri, duke ndihmuar për të formuar moralin, etikën dhe kuptimin e jetës. Megjithatë, një pjesë e madhe e teologëve të sotëm kanë pasivizuar këtë rol, duke u bërë intelektualë të heshtur dhe të pergjumur. Ky fenomen mund të shpjegohet në disa mënyra, por dy faktorë të rëndësishëm janë: pajtimi i tyre për t’u drejtuar nga turlifarë mahluku si dhe pranimi i lehtësishëm i nëpërkëmbjes së dinjitetit të tyre.
Kësisoj, ata janë të “përgjumuar” nga një fare kënaqësie që vjen nga pranimi i një autoriteti të dyshimtë e shumë të rrezikshëm, i cili u bëhet pengesë e patejkalueshme në kërkimet e një të vërtete më të thellë dhe më personale.
Teologët tanë, sidomos ata të angazhuar nëpër institucione edukativo-arsimore (në Medrese e në FSHI), duke qenë nën influencën e moralit të atij rrëfimi që flet mbi karavanin e deveve që u prinë gomari, tërhiqen po nga inercioni i kësaj influence dhe, e minimizojnë pakënaqësinë kundër “tutorëve të deleguar” që u prijnë pa ndonjë navigim konkret.
Roli i tyre minimizohet deri në elementë të parëndësishëm! Dilet në masë dhe kërkohet fitri e zeqati, kurbanët e kontributet vullnetare për ta ndihmuar një medresant! Si ndihmohet medresanti? Medresanti ndihmohet duke ia falur diturinë, ditë për ditë, plotë katër vite me radhë! Dhe këtë falje të diturisë ia japin po këta teologë-profesorë! Ai që vrapon pas diturisë, ai edhe do të shpenzohet. Ndërsa ai që ofron dituri, natë e ditë, ai duhet të paguhet! Dhe kjo pagesë bëhet nga një buxhet i caktuar, që mbushet pikërisht nga këto “taksa fetare”! Dhe ja ku jemi – te mashtrimi flagrant i skuthit, i cili, duke ua ndjellur “përgjumjen” e intelektualitetit teologëve tanë, mashtron duke thënë se po i vjel fitrat për ta ndihmuar medresantin! Dhe jo për ta shpërblyer me pagë atë më meritorin – teologun-profesorin-hoxhën që përhapin diturinë e përgjithshme në rrugën islame!
Këtë përçmim dhe këtë vjedhje “profesionale” e heshtin teologët tanë! Megjithatë, nuk duhet harruar se, në një botë ku diversiteti i mendimeve dhe ideve është gjithnjë më i dukshëm, teologët që qëndrojnë në heshtje janë ata që i nënshtrohen një konsensusi të paqartë dhe pa pasur ndonjë debat të thellë intelektual. Ata shprehin një qëndrim të heshtur, të pasigurtë, por mund të jenë edhe të kujdesshëm, sepse mund të jenë të mbushur me shqetësime për reagimet negative që mund të vijnë nga autoritetet fetare, shoqërore ose politike. Sepse, mund të fluturojnë nga puna, sepse mund të degradohen duke u sulmuar me intriga nga më të ndytat, mund të kalojnë nëpër procese gjyqësore që nuk u bëjnë nder. A nuk është kjo një “përgjumje” e detyruar e intelektualitetit, por e mirëplanifikuar nga autoriteti që e ndjenë kulmin e kënaqësisë kur i sheh tek mrizon intelektualiteti “i përgjumur” si delet e lodhur nga piku i vapës!
Pra, teologët që preferojnë të mbeten të heshtur shpesh janë të shtrënguar nga frika e dëmtimit të reputacionit të tyre ose nga ndëshkimet që mund të pasojnë për shkak të mendimeve dhe qëndrimeve që mund të duken “heretike”, për shembull, për Shaqir Fetain, i cili më të lehtë e ka hidhërimin dhe “bllokimin” e intelektualitetit se sa të përballet me një këshillë kritike nga “vartësit” e vet. Kjo heshtje dhe mungesë e angazhimit intelektual në rastin konkret është një shenjë e një intelektualizmi të dobët, që është i detyruar të përshtatet deri në nënshtrim me një rend të ngurtë dhe i paaftë për të sfiduar status quo-në.
Kjo “heshtje e shenjtë” ka një ndikim të thellë në shoqëri. Kur teologët mbajnë qëndrime të ndrojtura dhe nuk sfidojnë me guxim përditësimin e zhvillimeve negative (në BFI), ata në fakt e humbasin mundësinë për të ndihmuar në përparimin e mendimit moral dhe shpirtëror të shoqërisë, e humbasin mundësinë për ta demonstruar faktorizimin e tyre si promotorë kryesor në zhvillimin e mendimit islam në vend e më gjërë! Roli i teologëve është të udhëheqin, të sfidojnë dhe të ofrojnë një kuptim të thelluar të organizimit të domosdoshëm mbi parimet e moralit islam, por për ta bërë këtë, ata gjithmonë, në çdo situatë, duhet të jenë të gatshëm të rrezikojnë një pjesë të autoritetit dhe përfitimeve të tyre meskine, sepse bëhet fjalë për komunitetin si nocion i gjërë si dhe për institucionion e këtij komuniteti që duhet të jetë garancë e zhvillimit dhe avancimit të mendimit islam institucional. “Përgjumja” e këtij synimi të vetëm do të ishte haram i madh, dhe assesi nuk do të thoshte përkrahje “e unitetit” që planifikohet nga autoriteti diktatorial!

Nëse teologët tanë mbeten të pergjumur dhe të heshtur (siç janë momentalisht) karshi planeve dhe përpjekjeve satanike për perspektivën e islamit në këtë nënqiell, veç tjerash, do të jenë edhe promovues dhe kontribues në ruajtjen e një komuniteti të frikësuar nga ndryshimi dhe zhvillimi intelektual, pa të cilin nuk ka kuptim madje vetë intelektualizmi. Injoranca dhe cinizmi do të bëhen ushqim kryesor për shpirtin e satanizuar!

Ndërsa shoqëria jonë nuk ka nevojë për teologë dhe intelektualë që nuk friksohen ta luftojnë të shëmtuarën, intrigën, analfabetizmin arrogant, që janë të gatshëm të shprehin mendimet e tyre dhe që angazhohen përballë problemeve të mëdha të shoqërisë dhe të shpirtit njerëzor, për të krijuar një të ardhme më të ndritur dhe më të drejtë.

Leave a Reply