Tre ditë më parë, zona e Komunës së Parisit u trondit nga aksidenti i portierit të Partizanit, Aldo Teqja.
Nga kati i shtatë i këtij pallati, 24-vjeçarit iu kërkua nga nëna e tij të rregullojë tendën në ballkon dhe për fat të keq në atë moment ka ndodhur gjithçka. Tendat e kateve më poshtë, zona e lulishtes dhe mbi të gjitha fati i tij, bën që gjithçka të kalojë paq.
“Dua të përgënjeshtroj të gjitha mediat dhe portalet, djali im ka pësuar një aksident. Gjithashtu dua të falenderoj të gjithë stafin e spitalit të traumës, Klubin Partizani dhe Federatën Shqiptare të Tutbollit për ndihmën që na kanë dhënë. Gjithashtu dua të theksoj se e fejuara e djalit së bashku me prindërit e saj kanë qenë këtu me ne që nga dita e parë dhe deri më tani. Aldo do të kthehet shumë shpejt si kampion”, u shpreh për Top Channel Ramazan Teqja, babai i Aldos
Duket e pabesueshme, por kur sheh Aldon, tashmë në qëndrimin e tij në pavion së bashku me të fejuarën e tij, më shumë se çdo gjë beson se mrekullitë ndodhin.
“Ndihem mirë…më e keqja kaloi, do të rikthehem shpejt në fushën e lojës”, tha ndër të tjera Aldo Teqja, portier i Partizanit.
Edhe mjekët japin sinjale pozitive për gjendjen shëndetësore të futbollistit të të klubit Partizani
Aldo Teqja është 24 vjeç, aktualisht portieri i dytë i Partizanit. Pas 3 viteve të kaluara te skuadra e Skëndërbeut, verën e fundit vendosi të kalojë në kryeqytet. Ai njihet si një portier me të ardhme, ka qenë edhe pjesë e Kombëtares Shpresa.
2 vitet e fundit në Korçë është aktivizuar në 35 ndeshje si titullar. Por ishte ky aksident dhe solidariteti i të gjithë komunitetit të futbollit që e bën Aldo Teqen të ketë forcë dhe mundësi për t’u rikuperuar sa më shpejt për në fushën e blertë./TCh/