Irak, milicët shiitë marrin frerët e fushatës anti-ISIS

Paraushtarakët shiitë të Irakut kanë njoftuar këtë të martë se kanë marrë frerët e fushatës për të zmbrapsur Shtetin Islamik nga provinca perëndimore e Anbarit, duke i dhënë operacionit një emër të koduar haptazi sektarian, gjë që mund të irritojë popullsinë sunite të këtij rajoni.
Qeveria irakiane po përpiqet të kundërshtojë tërheqjen më të madhe ushtarake të saj gjatë afro një viti, pikërisht rënien e Ramadit – kryeqytet i provincës së Anbarit në perëndim të Bagdadit – në duart e militantëve të Shtetit Islamik. Kryeministri Haider al-Abadi ka premtuar rimarrjen e tij nën kontroll brenda pak ditëve.

E megjithatë, kanë qenë milicitë shiite, të mbështetura nga një njësit më i vogël me trupa qeveritare, ata që kanë avancuar këtë të martë në vetëm pak kilometra larg universitetit të Ramadit, në pjesën jugperëndimore të tij, një lajm që është konfirmuar nga burime të policisë irakiane dhe luftëtarë të fiseve sunite, në aleancë me qeverinë.

Ata kanë kaluar përmes tokave bujqësore të luginës së lumit Eufrat, në jug të Ramadit, e më pas u kanë bërë thirrje njerëzve të rikthehen në shtëpitë e tyre, të qëndrojnë brenda, duke i garantuar se nuk do të lëndohen.

Rënia e Ramadit javën e kaluar është ndjekur menjëherë nga rënia e qytetit të Palmiras, pjesë e Trashëgimisë Botërore dhe e ruajtur nga UNESCO, në shtetin fqinj Siri. Këto kanë qenë dy fitoret më të mëdha të luftëtarëve xhihadistë të ISIS, që kur Shtetet e Bashkuara nisën goditjen e tyre me anë të sulmeve ajrore, si në Irak edhe në Siri, gjatë vitit të kaluar.

 

Leave a Reply