Irani paralajmëroi të martën se do të fillojë pasurimin e uraniumit në gradën 60% pastërti, dy ditë pasi një shpërthim për të cilin fajësoi Izraelin, goditi centralin kryesor bërthamor në Natanz.
Njoftimi ka hedhur hije të errëta mbi bisedimet që vazhdojnë në Vjenë me synimin për të rigjallëruar marrëveshjen bërthamore të 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore, e cila u braktis tre vjet më parë nga administrata e mëparshme amerikane.
Teherani tha se i kishte shkruar Agjencisë së OKB-së për Energjinë Atomike (IAEA) për të njoftuar se “Irani do të rifillojë pasurimin,” një veprim që më pas u konfirmua edhe nga agjencia.
Ky hap e sjell Iranin më pranë objektivit për uranium me 90% pastërti, që përbën gradën e synimeve ushtarake dhe ngushton hendekun deri në prodhimin e bombës atomike, megjithëse Teherani këmbëngul se nuk ka synime të tilla.
Në bazë të marrëveshjes bërthamore, Irani është zotuar të mos pasurojë më shumë se grada 3.67%, megjithëse në janar e kishte ngritur pasurimin në 20%.
Njoftimet e fundit vijnë dy ditë pas një shpërthimi që ndërpreu furnizimin me energji elektrike në centralin e rëndësishëm bërthamor në Natanz. Teherani ka fajësuar Izraelin dhe e ka cilësuar incidentin akt “terrorizmi”.
Izraeli, i cili nuk ka marrë përgjegjësi për aktin, e kundërshton me forcë përpjekjen e administratës Biden për të rigjallëruar marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Izraeli e konsideron programin bërthamor të Iranit një kërcënim ekzistencial dhe është betuar të mos lejojë që Teherani të prodhojë bombën bërthamore.
SHBA kanë thënë se qëndrojnë përkrah Izraelit, por mbeten të angazhuara ndaj bisedimeve me Iranin, pavarësisht planit të pasurimit.
“Pa diskutim këto njoftime provokuese na shqetësojnë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Ne besojmë se rruga diplomatike është e vetmja rrugë përpara dhe se diskutimet, qofshin edhe jo të drejtpërdrejta janë mënyra më e mirë për gjetjen e një zgjidhjeje”.
– Goditet anija e operuar nga Izraeli –
Shpërthimi misterioz në Natanz ka thelluar dukshëm tensionet mes dy fuqive të Lindjes së Mesme të përfshira në një luftë jo-tradicionale në tokë e det.
Të martën, media njoftoi se një anije e operuar nga Izraeli u sulmua në brigjet pranë Emirateve të Bashkuara Arabe, në anën tjetër të bregut iranian, siç duket në një akt shpagimi.
Burime të sigurisë të cituara nga Kanali 12 izraelit thanë se anijaHyperion Ray u dëmtua rëndë pranë bregut të Emirateve.
Të hënën Irani u betua se do të merrte hak për sulmin në Natanz.
“Nëse Izraeli mendon se mund të ndalë Iranin në përpjekjet për të hequr sanksionet ndaj popullit Iranian, i kanë bërë hesapet gabim,” tha ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif.
Irani do ta fuqizojë edhe më shumë centralin e pasurimit me centrifuga të avancuara, tha ai.
Agjencia iraniane e lajmeve IRNA njoftoi se po shton “1000 centrifuga me kapacitet 50% më të lartë se pajisjet aktuale në Natanz,” përveç zëvendësimit të pajisjeve të vjetra.
Uraniumi me 60% pastërti do të përdorej për të “prodhuar molybdenum që shërben në prodhimin e produkteve të ndryshme radioterapike,” tha agjencia IAEA.
Zoti Zarif, gjatë takimit me homologun rus, Sergei Lavrov paralajmëroi aleatin e Izraelit, Shtetet e Bashkuara se nuk do të arrinin të siguronin avantazh në bisedime “përmes akteve të sabotazhit”.
Shtëpia e Bardhë ka mohuar çdo përfshirje në shpërthimin në Natanz.
Gazeta New York Times, citoi zyrtarë amerikanë dhe izraelitë të zbulimit, të paidentifikuar me emër, sipas të cilëve në sulm kishte pasur “rol nga Izraeli”. Shpërthimi shkatërroi plotësisht sistemin elektrik që ushqente “centrifugat nëntokësore” të centralit.
– Evropa “përkulet para presionit” –
Shefi i diplomacisë ruse, Lavrov, gjatë vizitës në Teheran, theksoi mbështetjen e Moskës për Iranin.
“Shpresa jonë është që Uashingtoni të kthehet në respektimin e plotë të marrëveshjes dhe të rezolutës së OKB-së,” tha ai.
Homologu i tij iranian kritikoi Evropën për “paaftësinë për të zbatuar” angazhimet e saj ndaj marrëveshjes dhe se është “përkulur para presionit të Amerikes”.
Për momentin marrëveshja me Iranin ka mbetur pezull pasi as Teherani, as Uashingtoni nuk janë tërhequr nga qëndrimet e tyre dhe secila palë pret nga tjetra të bëjë hapin e parë.
SHBA thanë se presin që bisedimet të vazhdojnë.
“Parashikojmë dhe për momentin nuk kemi sinjale se ka patur ndryshim planesh, se takimet do të rifillojnë javën e ardhshme,” tha zëdhënësja Psaki./VOA