Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Saeed Khatibzadeh tha se SHBA duhet të marrë një vendim të qartë politik
Irani ka thënë se e konsideron heqjen e sanksioneve amerikane si “vijë të kuqe” në negociatat me fuqitë botërore, për të zbatuar sërish marrëveshjen bërthamore.
“Çështja e heqjes së sanksioneve dhe ajo që Irani të përfitojë nga kjo gjë, përbëjnë vijë të kuqe për Iranin në bisedime”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, në një konferencë për media. “Nëse SHBA kthehet në Vjenë me një vendim të qartë politik dhe një axhendë specifike për të hequr sanksionet, atëherë me siguri marrëveshja do të arrihet shpejt“, ka vijuar më tej ai.
Të dyja palët kanë mbajtur tetë raunde të negociatave indirekte në Vjenë prej Prillit të vitit të kaluar me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes. Negociatorët janë kthyer në kryeqytetet respektive për konsultime duke bërë që bisedimet të ndërpriten.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin Robert Malley tha se ai do të kthehej së shpejti në Vjenë dhe u shpreh optimist për zgjidhjen e ngërçit. Më 2015, Teherani ka arritur marrëveshje me fuqitë botërore për kufizim të aktivitetit bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare./Klan.TV