Italia është një prej kundërshtareve të Shqipërisë në “grupin e ferrit” të “Euro 2024”. Në Itali ka një mosbesim nga ana e tifozëve sa i përket paraqitjes që mund të bëjnë “azzurët” në një grup aspak të lehtë.
Pavarësisht këtyre ndjesive nga ana e tifozëve, shefi i delegacionit të përfaqësueses italiane, Gianluigi Buffon u shpreh i bindur se Italia nuk do të zhgënjejë në kampionatin evropian.
“Jemi një kombëtare me shumë djem serioz, të përulur dhe të lumtur që do të luajnë në Europian. Është një grup i fortë ai që kemi, por jam i sigurt se si do të shkojnë gjërat, figurë të shëmtuar nuk do të bëjmë”, tha Buffon, duke bërë më pas edhe një koment rreth rolit të tij në përfaqësuese:
“Roli im në kombëtare është shef i delegacionit, por unë në fakt nuk komandoj askënd. Unë nuk komandoj as në shtëpinë time, imagjinoni në kombëtare. Ajo që bëj më shumë është ndërmjetësuesi mes trajnerit dhe lojtarëve. Për mua është kënaqësi pasi ky post mbahej nga një legjendë si Vialli”, theksoi Buffon.