Izraeli njoftoi të premten se ka nisur evakuimin e familjarëve të stafit të ambasadës në Kiev.
Evakuimi tha se po bëhet për shkak të “përkeqësimit të situatës”, që duket se është referencë për krizën midis Ukrainës dhe Rusisë.
Ministria e Jashtme izraelite po ashtu u bëri thirrje izraelitëve që të shmangin udhëtimin për në Ukrainë, ndërkaq shtetasit që ndodhen në këtë shtet, “të shmangin zonat e tensionit”. Ky njoftim i Izraelit vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje shtetasve amerikanë që janë në Ukrainë, të largohen menjëherë nga shteti, pas rritjes së kërcënimeve për veprime të ushtrisë ruse.
Rusia ka vendosur mbi 100,000 trupa përgjatë kufirit me Ukrainën. Perëndimi thotë se Moska mund të jetë duke u përgatitur për një pushtim të mundshëm të Ukrainës, por pala ruse mohon se ka plane të tilla.