Të paktën 16 persona janë vrarë në një sulm ajror izraelit në një shkollë të OKB-së në Rripin e Gazës, thanë zyrtarët palestinezë. Dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Ndërtesa po strehonte mijëra njerëz të zhvendosur në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gaza qendrore, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.
Një burim lokal tha se objektivi ishte një dhomë që dyshohet se përdorej nga policia e Hamasit. Një zëdhënëse e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (Unrwa) tha se pretendimet ishin “shumë, shumë serioze” dhe duhet të hetohen.
Sulmi vjen ndërsa shpresat rriten se një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit është në horizont, pas muajve të fillimit të luftës.
Izraeli ka njoftuar se do të dërgojë një ekip negociatorësh javën e ardhshme për të diskutuar një marrëveshje për lirimin e pengjeve me Hamasin.
Kjo vjen pasi një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Hamasi kishte rënë dakord për rregullime mjaft të rëndësishme në pozicionin e tij në lidhje me një armëpushim të mundshëm.
Një burim i lartë i Hamasit i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” të shtunën se grupi kishte rënë dakord të fillonte bisedimet për lirimin e pengjeve izraelitë, 16 ditë pas fazës së parë të propozuar të një marrëveshjeje që synonte t’i jepte fund luftës në Gaza.
Shumë shkolla dhe objekte të tjera të OKB-së janë përdorur si strehimore nga 1.7 milionë njerëz që kanë ikur nga shtëpitë e tyre gjatë luftës, e cila ka zgjatur pothuajse tetë muaj.
“Ne nuk i kemi ende të gjitha informacionet. Që nga fillimi i luftës, ne kemi pasur më shumë se gjysmën e objekteve tona të goditura”, tha Juliette Touma, drejtoresha e komunikimit e Unrwa për BBC në lidhje me sulmin e fundit.