Sipas Petreskas, problemet me të folurin janë shkaktuar nga stresi prej pandemisë.
“Pandemia e bëri të veten në të gjitha sferat e jetesës. Fëmijët nuk mbetën të anashkaluar. Kemi situata, te vajzat nga 4 deri 4 vjeç e gjysmë. Ato zhvilluan belbëzimin. Këto quhen probleme në rrjedhshmërinë e të folurit. Këtë ia përshkruajmë situatave stresuese në shtëpi për shkak të pandemisë. Numri i vajzave me probleme të tilla është rritur”, sqaron Petreska.
Sipas saj në këtë zgjidhje nuk duhet të angazhohen vetëm prindërit, por edhe institucionet.
”Prindërit e blejnë në mënyrë të pavetëdijshme ”paqen” me celularët, tabletat dhe televizorët. Ky është problem që pengon të folurit, por edhe për zhvillimin sensitiv-emotiv te fëmijët”, thekson ajo.
”Vitet e fundit, problemi me të folurit te fëmijët është rritur mjaftueshëm. Kemi numër të madh të fëmijëve të cilët kanë probleme në gjuhën e të folurit. Mendojmë se një problem serioz mbetet ekranizimi i fëmijëve”, shton logopedja.
Termi ”ekranizim” do të thotë veprim i pamjaftueshëm në zhvillimin e trurit nga telefonat celularë, tabletat, televizorët dhe pajisjet tjera.
”Ka raste kur prindi në moshën shtatë-tetë muajsh, gjatë aktiviteteve ditore siç janë të ushqyerit, u ofrojnë fëmijëve telefonin celular. Kjo është periudhë e zhvillimit motorik te fëmija. Kjo do të thotë se fëmija duhet t’i përfshijë të gjitha shqisat në mënyrë që të zhvillohen të gjitha funksionet në tru. Nëse e marrim parasysh se truri kërkon informacione për mbijetesë dhe nëse telefoni është para fëmijës tënd, atëherë informacionet vijnë vetëm nga një drejtim. Janë përfshirë vetëm shqisat e shikimit dhe dëgjimit. Nuk ka lojë, nuk ka lëvizje, nuk ka aktivitete të tjera që fëmija duhet përmes motorikës dhe përmes sensorëve t’i plotësojë”, sqaron logopedja Petreska.