Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e quan Britaninë e Madhe një vend të zakonshëm që s’ka luftuar në 30 vite, duke kundërshtuar dërgimin e trupave në Ukrainë. Sipas tij, e vetmja rrugë për të garantuar paqen është që të realizohet marrëveshja ekonomike për mineralet e rralla SHBA-Ukrainë.
“Kjo është shumë më efektive se dërgimi i 20 mijë trupave nga këto vende europiane që nuk kanë luftuar në 30 apo 40 vite. Personi i vetëm me strategji të qartë është Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe secili duhet ta ndjekë”, është shprehur ai.
Britania e Madhe ka bërë një sërë ndërhyrjesh ushtarake që nga viti 1980. Qindra ushtarë britanikë janë vrarë duke ndihmuar Amerikën në luftën e saj kundër Irakut dhe Afganistanit në vitet 2000. Pas invazionit të Irakut në Kuwait në 1990-ën, Britania luajti një rol mbështetës ndaj Amerikës për hedhjen e disa bombave në Irak vitin pasardhës. Kjo aleancë zgjati për 3 vite rresht.