Kryeministri britanik, Boris Johnson, kaloi të martën natën e dytë në kujdes intensiv.
Johnson është diagnostikuar me koronavirus më 27 mars. Kryeministri po mbahet në spitalin St Thomas të Londrës “për monitorim të afërt”, tha Qeveria britanike.
Zëdhënësi i Johnsonit tha se gjendja e tij “është e qëndrueshme”.
Johnson është shtruar në spital më 5 prill, për shkak të simptomave të vazhdueshme të sëmundjes, ndërsa të hënën mbrëma është transferuar në kujdes intensiv.
Mbretëresha britanike, Elizabeth II, i ka dërguar mesazh familjes dhe partneres së tij, duke thënë se ata janë në mendimet e saj.
Më shumë detaje për gjendjen e Johnsonit priten gjatë ditës.
Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, i cili po e zëvendëson Johnsonin, tha se është i bindur se kryeministri do të shërohet.