Katër grupe kriminale janë goditur nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria në bashkëpunim me autoritetet grekë.
Në një deklaratë për mediat, Drejtori i Policisë, Ardi Veliu tha se gjatë operacionit të koduar “Limit” u arrestuan 57 persona, ndërsa 8 janë shpallur në kërkim. Në Greqi u arrestuan 34 persona, ndërsa në Shqipëri 23.
Hetimet për këtë grup kriminal kanë filluar që në vitin 2016. Grupi kriminal siguronte farat e kanabisit në Holandë, më pas kaloheshin tranzit në Greqi dhe kultivoheshin në Shqipëri.
Gjatë operacionit janë sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivim të bimëve narkotike, fara kanabis, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara.
Operacioni në Greqi- “Gjatë periudhës së hetimit 2016 – 2019, është shkëmbyer në kohë reale informacion me partnerët tanë nëpërmjet SELEC-ut për aktivitetin kriminal të personave të përfshirë në këto grupe kriminale dhe si rezultat, nga autoritetet policore greke janë arrestuar 34 persona, të cilët ushtronin aktivitetin kriminal të trafikimit dhe shpërndarjes të narkotikëve. Policia greke gjatë operacioneve të kryera ka sekuestruar rreth 200 kg kanabis, 3.5 kg kanabis në formë çokollate dhe 1.3 kg kokainë”, tha në një deklaratë Drejtori i Policisë, Ardi Veliu.
Operacioni në Shqipëri- “Operacioni ka vijuar mëngjesin e sotëm në disa qarqe të vendit, ku u angazhuan rreth 300 forca policore. Gjatë hetimit u bë e mundur të dokumentohej aktiviteti kriminal edhe i 31 personave të tjerë në Shqipëri, duke u finalizuar me ekzekutimin e masave të sigurisë për 23 prej tyre, ndërsa 8 të tjerë janë shpallur në kërkim”.
Sekuestrohet kanabis, kokainë dhe laborator droge -Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis, një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndricim artificial, telefona celularë dhe disa automjete.
Fara e kanabisit sigurohej nga Holanda-Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin. Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë.
Trafikim edhe të klandestinëve- Gjithashtu këto grupe kriminale organizonin dhe mundësonin kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Lindja e Mesme, të cilët vinin nga Greqia në Shqipëri dhe më pas në drejtim të Malit të Zi, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.