Scholz: Vendimet të merren me shumicë të cilësuar
Gjermania mbetet një nga përkrahëset e idesë së zgjerimit të Bashkimit Europian me vende të reja, përfshi këtu edhe ato të Ballkanit Perëndimor.
Deklaratat u bënë nga Kancelari gjerman Olaf Scholz gjatë vizitës së tij në Çeki ku theksoi se unioni duhet të pranojë në gjirin e vet vende si Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, por edhe ato të Ballkanit Perëndimor.
I vetëdijshëm se zgjerimi do të sjellë edhe më shumë dallime mesh shteteve, çka mund të vështirësojë vendimarrjen në union, Kancelari Scholz bëri të ditur se zgjidhja e vetme është heqja dorë nga veto dhe kalimi në vendimarrjen me shumicë.
“Rreziku që një vend individual të përdorë veton e tij dhe të parandalojë të gjithë të tjerët të ecin përpara rritet me çdo shtet anëtar të ri. Prandaj kam propozuar një kalim gradual në votimin e shumicës në politikën e jashtme të përbashkët, por edhe në fusha të tjera, si politika tatimore duke e ditur mirë se kjo do të kishte pasoja edhe për Gjermaninë”.
Duke u ndalur te lufta në Ukrainë, ai theksoi se konflikti nxorri në pah mungesën e kapaciteteve të Europës për t’iu përgjigjur në nivelin e duhur një situate të tillë.
Ndaj ai theksoi se ka ardhur koha që BE të zhvillojë armë të reja dhe një sistem të zhvilluar bashkërisht të mbrojtjes ajrore në Evropë.