Bizneset dhe shërbimet në të gjithë globin kanë filluar të rimëkëmben ngadalë pas një ndërprerje globale të internetit që preku sistemet kompjuterike duke shkaktuar ndalimin e fluturimeve, punën në banka, spitale, media dhe kompani të tjera për disa orë.
Disa shërbime të linjave ajrore kanë filluar të kthehen në normalitet pas anulimit të mijëra fluturimeve. Megjithatë, operatorët presin që disa vonesa dhe anulime të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. Shërbimet shëndetësore në Britani, Izrael dhe Gjermani gjithashtu u prekën, duke detyruar që disa operacione të anuloheshin.
Transmetimi i disa mediave në Australi u ndërpre për disa orë, siç i ndodhi edhe televizionit ‘Kanali 24’ në Bangladesh. Bankat në Afrikën e Jugut dhe Zelandën e Re raportuan ndërprerje në sistemin e tyre të pagesave ose faqet e internetit.
Në një deklaratë në faqen në internet të kompanisë Microsoft thuhet se problemi filloi në orët e vona të së enjtes, kur një përditësim i programit të kompanisë globale të sigurisë kibernetike CrowdStrike duket se shkaktoi probleme të mëdha me lidhjet në rrjet.
CEO i Crowdstrike kërkoi falje për kaosin e shkaktuar, por pranoi se mund të duhej pak kohë përpara se të gjitha sistemet të riktheheshin dhe të funksiononin. Firma e sigurisë kibernetike, me bazë në Teksas, sqaroi se arsyeja e problemeve globale nuk kishte të bënte me një sulm kibernetik, por me një përditësim të gabuar në kompjuterat që përdorin sistemin ‘Microsoft Windows’.
Kaosi global ka ngjallur shqetësim dhe ka nxjerrë në pah se sa e varur është bota nga teknologjia.