Stadiumi i finales “Lusail” do inagurohet më 9 Shtator në sytë e 80 mijë tifozëve
Katari është gati për të pritur Kupën e Botës. Shteti arabik ka konfirmuar edhe ditën kur do të inagurohet stadiumi më i madh i këtij turneu, që do të presë edhe finalen e madhe. Stadiumi në qytetin e Lusail, me kapacitet prej 80 mijë tifozësh do të hapet me datën 9 Shtator.
Forma dhe fasada e artë i bëjnë jehonë motiveve të ndërlikuara dekorative të artit të gjetura në botën arabe dhe islame gjatë kulmit të qytetërimit në rajon. Në këtë impiant do të luhet finalja e Superkupës Lusail, që do shërbejë edhe si test para dueleve të Kupës së Botës.
Duel që do të diskutohet mes kampionëve të Superligës saudite dhe fituesve të Premier League egjiptiane, e cila sigurisht do të kthehet në një festë madhështore. Në këtë duel do të jetë prezent edhe një koncert nga një këngëtar i famshëm, me detajet që ende mbeten për t’u zbuluar.
I vendosur në qytetin e Lusail, 15 kilometra në veri të Dohas qendrore, ky stadium do të presë ndeshjet e të gjithë fazave të Katarit 2022, duke nisur me sfidën e grupit C mes Argjentinës dhe Arabisë Saudite më 22 Nëntor.