Komisioni Europian ka zbuluar propozimet e reja për të lehtësuar masat për udhëtimet jo esenciale në Bashkimin Europian.
Sipas asaj që shkruan BBC, Komisioni rekomandon që shtetet anëtare të heqin kufizimet për udhëtarët që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës, ashtu sikurse për ata që vijnë nga vende që cilësohen me “situatë të mirë epidemiologjike”.
Blloku me 27 vende anëtare aktualisht lejon udhëtimet jo esenciale nga vetëm 7 shtete, por me propozimet e reja kjo listë pritet të zgjerohet.
Komisioni ka nënvizuar gjithashtu një sistem emergjence, që shtetet anëtarë të jenë në gjendje të pezullojnë në mënyrë urgjente dhe të përkohshme të gjitha udhëtimet, në rastet kur situata e virusit në atë shtet nis të përkeqësohet apo në rastet kur një variant i ri po shkakton shqetësim.
Vendet anëtare të Bashkimi Europian pritet të nisin diskutimet për këto propozime të martën.