Kandidati për deputet nga radhët e partisë Nisma Socialdemokrate, Haxhi Hoti, është arrestuar mëngjesin e së dielës. Arsyeja e arrestimit të tij kishte qenë një postim në rrjetin social Facebook, përmes së cilit Hoti e ka kërcënuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Hoti është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq sot do të merret vendimi nëse ndaj tij do të vendoset masa e paraburgimit, shkruan Gazeta Express
“John F. Kennedy Ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President. Albin Kur është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtet të Kosovës të jetë kryeministër. Albin Kur ika 2 rrugë: ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, ishte statusi i Hotit në Facebook i cili çoi deri në arrestimin e tij.
E për këtë shkrim, Hoti është ndaluar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për 48 orë.
Prokurori kujdestar ka kërkuar që ndaj Hotit të shqiptohet masa e paraburgimit, e këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express zyrtarja për Informim e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Pas vendosjes së masës së mbajtjes për 48 orë, prokurori kujdestar ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin H.H.”, ka thënë Ulaj.
Ndërkaq seanca për shqyrtimin e kërkesës së prokurorit do të bëhet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Këtë e ka thënë për Express zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.
“Sot do të mbahet seanca, nga ora 13:30”, ka thënë Gashi.
E Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të së dielësh kishte dhënë detaje për rastin, të cilin e ka cilësuar si “shtytje në vrasje”.
“Prishtinë (NN:) 28.12.2019-19:00. Raportohet se i dyshuari mashkull K/Shqiptar përmes rrjetit social Facebook kishte publikuar një shkrim i cili është trajtuar si më lartë. Lidhur me rastin njësiti policor e ka kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij, por i njëjti nuk është hasur, të njëjtit i është lënë ftesë për paraqitje të menjëhershme në polici. Në cilësinë e dëshmitarëve janë intervistuar dy persona, në koordinim me prokurorin e shtetit janë ndërmarrë veprime për rastin. I dyshuari pas paraqitjes në polici, është intervistuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”. Thuhet në raportin e policisë.
Ndërkaq lidhur me postimin e Hotit ka reaguar edhe vetë Kurti.
Kërcënimi i Hotit sipas Kurtit “nuk është ndonjë gjë e madhe”. Ai ka preferuar që vlerësimin e këtij kërcënimi t’ua lë organeve të drejtësisë.
Por Kurti të dielën pati një kërkesë për hetuesinë kosovare. Ai kërkoi që Hoti të lirohet dhe festën e fund vitit ta presë pranë familjes së tij.
“Unë nuk jam John Fitzgerald Kennedy kurse z. Haxhi Hoti nuk është Lee Harvey Osëald. Nuk mund t’i vlerësoj çështjet e sigurisë dhe as të përzihem në ato të drejtësisë, por besoj që do të ishte mirë që z. Hoti të lirohet e ta presë Vitin e Ri 2020 me familjen e tij në shtëpinë e tij”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal kundër Hotit në polici.
Kandidati për deputet i Nismës ka kërkuar falje për postimin të cilin më pas e ka fshirëë, duke u arsyetuar se gjithçka ka qenë një gabim teknik./GazetaExpress/