Përzgjedhja e 16 ambasadorëve të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në vendet e botës nuk ka kaluar pa u kritikuar. Këshilli i ambasadorëve vlerëson se me disa përjashtime, Qeveria vazhdon praktikën e vjetër dhe propozon ambasadorë “nën mesataren”. Sipas tyre, kandidatët direkt ose indirekt janë të lidhur me partitë politike dhe nuk është mbajtur llogari për cilësinë e tyre. Nga Ministria e Punëve të Jashtme, si propozues zyrtar të kandidatëve për ambasadorë, deri tani, nuk kanë reaguar për vlerësimet e Këshillit të ambasadorëve.
– Advertisment –
VMRO-DPMNE-ja po ashtu mendon se mund të ishin propozuar kandidatë shumë më të mirë.
Pretendimi se nëse je diplomat i punësuar në MPJ, automatikisht je i mirë dhe i përshtatshëm për ambasador, nuk domethënë gjithmonë të jetë i vërtetë. Sipas meje, të paktën gjysma e ambasadorëve të propozuar kanë kolegë më të mirë dhe më cilësorë që mund të ishin më të mirë në ata pozita ambasadorësh – tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.
Shumica parlamentare është e kënaqur me prezantimin e platformave që bënë ambasadorët e ardhshëm para Komisionit për punë të jashtme në Kuvend.
Kishim rastin t’i dëgjojmë dhe ata ishin prezantime kompetente të përfaqësuesve tanë të ardhshëm në këto vende. Mendoj se këto njerëz do ta bëjnë punën e tyre. Madje edhe z. Sali Limani që nuk është diplomat me karrierë, kishte prezantim të shkëlqyer – deklaroi Sonja Mirakovska, LSDM.
Ambasador i ri në Danimarkë është Faton Bejta, në NATO – Dane Taleski, në Katar – Shaban Jashari, në Zhenevë – Teuta Agai Demjaha, në Shqipëri – Danço Markovski, në Kazakistan – Sali Limani, në Kosovë – Shpresa Jusufi, dhe në Vatikan – Marija Efremova. Tetë të tjerë do të prezantojnë platformën e tyre para deputetëve gjatë javës së ardhshme.
Maqedonia nuk ka akoma ambasador në SHBA, në Rusi, në Kombet e Bashkuara dhe në shumë vende të rëndësishme evropiane.