Ekspertët po paralajmërojnë linjat ajrore që të kenë kujdes shtesë kur riaktivizojnë aeroplanët e lënë në magazinim gjatë pandemisë.
Kjo pasi që, siç shkruan BBC, përcjell Telegrafi, mospraktikimi i pilotëve, gabimet e mirëmbajtjes dhe madje edhe “foletë e insekteve” mund të jenë rreziqe të mundshme për ri-hyrjen e avionëve në shërbim.
Siç tanimë dihet, kufizimet e udhëtimit kanë shkaktuar një rënie të madhe të fluturimit, me shumë aeroplanë të vendosur në depo të zgjeruara.
Si rezultat, ka pasur një rritje të numrit të problemeve të raportuara ndërsa avionët kthehen në shërbim, shkruan më tej BBC.
Andaj, “çdo avion do të ketë një seri të veçantë udhëzimesh për mirëmbajtje, që asnjëherë nuk është bërë në këtë shkallë më parë”, ka thënë Greg Waldron, redaktor i revistës FlightGlobal.
Së bashku me rregullatorët, kompanitë e sigurime gjithashtu kanë shprehur shqetësim.
“Ne kemi njerëz që kthehen në punë që janë mjaft të lodhur, gjë që është një çështje e madhe”, thotë Gary Moran.
Ndër problemet që janë cekur është edhe ai i kujdesit që duhet pasur kur pilotët rikthehen në shërbim.
“Fluturimi i një avioni mund të jetë mjaft teknik. Nëse nuk e keni bërë për një kohë, sigurisht që nuk është si ngasja e biçikletës”shtoi Z. Waldron.
Sidoqoftë, ai tha se linjat ajrore janë të vetëdijshme për këtë çështje dhe në shumë raste kanë rezervuar kohë shtesë për pilotët e tyre në simulatorët e fluturimit.
Gjithashtu, problem tjetër që mund të paraqitet është edhe mirëmbajtja.
Avionët në ruajtje zakonisht i nënshtrohen një orari rutinë të mirëmbajtjes për t’u siguruar që janë gati të kthehen në shërbim kur biznesi të përmirësohet.
Magazinimi i linjave ajrore Asia Pacific, për shembull, punëson më shumë se 70 ekuipazhe mirëmbajtjeje.
Prodhuesit gjithashtu japin udhëzime shumë të hollësishme se si të ruajnë avionët e tyre. Por ende ka pasur disa probleme të raportuara.
Për shembull, Agjencia e Sigurisë së Aviacionit të Bashkimit Evropian (EASA) tha se ka pasur një rritje të numrit të raporteve të leximeve të shpejtësisë së ajrit dhe lartësisë jo të besueshme gjatë fluturimit të parë, pasi një aeroplan largohet nga magazinimi.
Dhe më interesantja, por jo më pak e rëndësishmja janë edhe “foletë e insekteve”.
Në shumë raste të mëparshme, problemet me leximet e shpejtësisë së ajrit kanë qenë për shkak të insekteve në pjesë të avionit, të cilat janë përbërësit kryesorë që përdoren për të matur shpejtësinë e ajrit.
Këto çështje janë të njohura mirë në industrinë e aviacionit dhe Z. Waldron tha se ai mendon se udhëtimet e linjave ajrore do të mbeten të sigurta.