KFOR: FSK jo në veri të vendit! SHBA: Dënojmë sulmin, s’përjashtojmë të jetë një grup ose një shtet

Misioni i NATOS në Kosovë  KFOR nuk ka lejuar që forcat e FSK-së  të shkojnë në veri pas shpërthimit që ndodhi në Kanalin e Ibër Lepencit.

Lajmin e konfirmoi vetë misioni i aleancës Aleancës Veri-Atlantike në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë.

“Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i. Siç është komunikuar në deklaratën tonë KFOR ka vendosur njësite për të siguruar zonën e dëmtuar të kanalit të ujit në Zubin Potok”, thuhet në njoftimin e KFOR.

Prishtina zyrtare e  bëri këtë kërkesë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, sipas së cilës, kryeministri i vendit në atë kohë  Hashim Thaçi, e siguroi misionin se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa lejen e KFOR-it.

Ndërkohë kryeministri Albin Kurti zhvilloi sot një takim me ambasadorët e vendeve të Quintit. Pas bisedimeve diplomati amerikan Hovenier  deklaroi për mediat  se  është ende të dihet se kush është autori i  ngjarjes, ndërsa nuk përjashtoi asnjë grup apo shtet.

“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Gjithashtu nuk jam në gjendje të përjashtoj asnjë grup, shtet. Është shumë herët, nuk e dimë ende”, tha diplomati amerikan Hovenier  .

Hovenieri ka shtuar se Uashingtoni  ofron mbështetje në hetimin e këtij rasti dhe dënoi këto veprime të dhunshme.

“Ne angazhohemi për përgjigjen emergjente nga autoritetet e Kosovës dhe ndihmojmë në zgjidhjen e asaj që mund të ishte situatë e tmerrshme. Këto akte të dhunshme janë të pafalshme dhe e vendosin Kosovën dhe qytetarët në rrezik”, shtoi Jeffrey Hovenier,

I dërguari i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka theksuar  se zyrtarët më të lartë të BE-së e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre për këtë rast duke e  konsideruar sulmin si terrorist dhe sabotues. Më herët Kryeministri  i Kosovës Albin Kurti e ka akuzuar Beogradin zyrtar se qëndron pas këtij sulmi, por presidenti serb Aleksander Vuçiç  e ka mohuar që vendi i tij të ketë lidhje me ngjarjen.

Leave a Reply