Ky vend është ndër eksportuesit kryesorë të ushqimeve në botë dhe furnizuesi më i rëndësishëm për tregun europian.
Zyrtarët ukrainas thonë se në portet e Detit të Zi qëndrojnë të bllokuar 20 milionë tonë drithëra, pasi rusët që kanë marrë kontrollin nuk lejojnë eksportin e tyre. Kombet e Bashkuara thonë se disa vende mund të përballen me krizë urie afatgjatë, nëse eksportet nga Ukraina nuk rikthehen në nivelet e para-luftës.
Presidenti rus Vladimir Putin kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë për t’i hapur rrugë eksportit të drithërave. Megjithatë, mediat thonë se deklarata e tij ishte e paqartë, nëse i referohej eksportit të grurit nga Rusia, një tjetër eksportues i madh botëror, apo nga Ukraina.
Ministria ukrainase e Mbrojtjes postoi po ashtu një video, që dëshmon se Rusia po përdor bomba me fuqi të lartë shkatërruese.