Ukraina po kërkon një ftesë nga NATO përpara se Joe Biden të largohet nga Shtëpia e Bardhë, duke argumentuar se kjo do të ishte një trashëgimi e madhe për presidentin aktual të SHBA-së, tha një zyrtar i lartë diplomatik ukrainas për Reuters.
“Mendimi ynë është se një ftesë për Ukrainën në këtë kohë përbën një mesazh politik,” tha Natalia Galibarenko, ambasadorja e Kievit në NATO.
“Ne besojmë sinqerisht se mund të jetë pjesë e trashëgimisë së administratës aktuale amerikane,” tha ajo në një intervistë nga delegacioni ukrainas në NATO, përballë selisë së aleancës në Bruksel.
Zgjedhjet presidenciale në SHBA muajin e ardhshëm krijojnë pasiguri të madhe për Ukrainën, pasi Uashingtoni ka qenë ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake të Kievit në luftën e tij kundër agresionit rus.
Ndërsa nënpresidentja demokrate Kamala Harris ka sinjalizuar mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën, ajo nuk e ka specifikuar nivelin e kësaj mbështetjeje. Ish-presidenti republikan Donald Trump ka qenë i paqartë se si do ta trajtonte luftën.
Anëtarësimi në NATO do ta bënte Ukrainën pjesë të paktit të mbrojtjes reciproke të aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA, që do të thotë se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve, megjithëse procesi i anëtarësimit mund të marrë vite për t’u përshtatur me standardet e saj të NATO-s.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka bërë të qartë javët e fundit se e sheh një ftesë të hershme për në NATO si pjesë të “planit të tij të fitores”.