Kanë kaluar më tepër se dy javë nga dita që i kemi nisur letër Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Fatos Reka, në lidhje me çështjen e teksteve ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave tjera të shtetit dhe popullit shqiptar, për t’i paraqitur qëndrimet e Koalicionit Aleanca për Shqiptarët – AlternAtivA, si dhe për të kërkuar veprim nga shteti shqiptar në lidhje me këtë temë.
Fatkeqësisht, edhe përkundër kësaj nisme por edhe obligimeve të dala nga neni 8 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, na duhet të konstatojmë se Tirana zyrtare vazhdon të heshtë karshi shtrembërimit të fakteve historike, fyerjeve dhe gjuhës së urrejtjes ndaj shtetit dhe kombit shqiptar që ushqehen nga institucionet publike të Maqedonisë së Veriut.
Andaj, marrë parasysh interesin publik të kërkesës sonë, sot po publikojmë letrën të cilën ia kemi dërguar më 19 shkurt Ambasadorit Reka, ku i kemi kërkuar që të ngrit këtë çështje lart në agjendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare.
Siç kishte shkruar Aristoteli në Etikën e Nikomakut, “miqtë dhe vërteta na janë të dashur njësoj, por është detyrë e jona t’i japim përparësi së vërtetës.” Nisur nga ky parim, vlerësojmë se Republika e Shqipërisë e ka për detyrë si vend mik i Republikës së Maqedonisë së Veriut që të trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik midis dy vendeve.
Gjetja e një zgjidhjeje që i kontribuon rritjes së mirëbesimit midis dy kombeve është në frymën e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore që do duhej të promovonin dy vende anëtare të NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.