Dhjetëra kolonë izraelitë e kanë sulmuar një fshat palestinez në Bregun e uzurpuar Perëndimor, duke djegur shtëpi dhe makina. Ministria palestineze e Shëndetësisë tha se një banor i fshatit në të 20-at u vra dhe një tjetër u plagos rëndë gjatë sulmit.
Kolonët – disa prej të cilëve të maskuar – e sulmuan fshatin Jit me koktej molotovi dhe me gurë të enjten në mbrëmje, thanë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF). IDF-ja tha gjithashtu se është duke i hetuar raportimet për vrasjen dhe plagosjen.
Pamje të publikuar në rrjetet sociale shfaqën makina dhe shtëpi duke u djegur pas sulmit.
Shtëpia e Bardhë tha të enjten vonë se sulmet e kolonëve kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor janë “të papranueshme dhe duhet të ndalen patjetër”.
“Autoritetet izraelite duhet patjetër të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur të gjitha komunitetet kundër dëmeve, përfshirë edhe ndaljen e një dhune të tillë, si dhe t’i bëjnë përgjegjësit të japin llogari”, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Palestinezët i akuzojnë vazhdimisht forcat izraelite se qëndrojnë duarkryq dhe i lejojnë grupet e kolonëve të dhunshëm të kryejnë sulme në shtëpitë dhe fshatrat e tyre.
Shtetet e Bashkuara dhe një numër vendesh evropiane kanë vendosur sanksione ndaj kolonëve të dhunshëm dhe i kanë bërë thirrje vazhdimisht Izraelit të bëjë më shumë për t’i parandaluar këto sulme.