“Komisioni i lartë” i Shaqir Fetait me program zero për Ramazan

Pse kaq cinizëm nga Shaqir Fetait për Ramazan, cinizëm ky që kulmoi “me shpërndarjen e 24 ton hurma” dhuratë nga Mbreti Saudit! A ka parë dikush se ku u shpërndanë këto hurma? Kur u shpërndanë, si u shpërndanë, a u organizua ndonjë falënderim kolektiv për Mbretin Saudit për këtë dhuratë, apo i vodhi dikush duke i magazinuar për t’i shitur për Ramazanin e ardhshëm

Nga Mahir Rexhepi

Si do të përkufizohej aktiviteti fiktiv i zvarritur përmes një “propagande” tepër amatore dhe të shpifur nga “rijaseti” i personalizuar i Shaqir Fetait gjatë Muajit të Ramazanit? Shkurt e shqip: “vizitat e “delegacioneve të larta të rijasetit”! Pse kjo dëshirë psikopatike e Shaqir Fetait dhe marionetave të tij prej druri për ta “njësuar” BFI-në me OKB-në, BE-në, OSBE-në, UNESKO-n, NATO-n, prej të cilëve në terren gjithmonë nisen DELEGACIONE TË LARTA! Pra, aty diku me këto akronime është edhe BFI-ja, ë? Delegacionet që nisen për në terren e të përzgjedhur nga Rijaseti më përpara quheshin “delegacioni qendror”! Pra, të deleguarit nga qendra, dhe kurrë nuk quheshin në mënyrë qesharake “delegacion i lartë”!
Si e devalvon Shaqir Fetai peshën dhe rolin e “delegacionit të lartë”? Pse ka zgjedhur politikën e devalvimit, të talljes si me xhemat ashtu edhe me ulema? Secili xhemat ka hoxhën e vet, secila xhami ka imamin e vet, detyrat e të cilit dihen paraprakisht tash e më shumë se katërmbëdhjetë shekuj. Këta “delegacione të larta” të Shaqir Fetait a duhet të shkojnë si përforcues të këtyre imamëve, duhet të gjenden në terren si falës të namazeve, të teravive, si vaiza e ligjerues që kanë metodologji speciale të ligjërimit paraprakisht të kontrolluar nga Shaqir Fetai, apo janë në mision të llogaridhënies! “Delegacionet e larta” të Shaqir Fetait para xhemateve të vendit duhet të shpjegojnë se çfarë ka arritur “rijaseti” në periudhën brenda dy Ramazaneve! Çka ka premtuar në Ramazanin e kaluar, çka u realizua nga premtimi dhe çka nuk u realizua! Cilat janë sukseset dhe cilat janë dështimet brenda dy Ramazaneve! Cilat janë sfidat me të cilat u përball BFI-ja gjatë kësaj periudhe dhe me ç’sfida u përballën myslimanët e vendit, në fusha të ndryshme? Cili ishte roli dhe pesha e BFI-së në tejkalimin e këtyre sfidave dhe ku nuk u bë aq sa duhet! Cilat janë planet e BFI-së për periudhën deri në Ramazanin e ardhshëm! Pse Shaqir Fetai u detyrua që t’i shpenzojë të gjitha bonot ne vlerë duke blerë mirëqenien dhe rehatinë personale në dëm të ardhmërisë së islamit në këto anë! Sa xhami u shitën e u dhuruan për kisha e muze? Pse Uniteti i BFI-së kurrë nuk ka qenë kaq i dëmtuar dhe, pse kurrë më parë BFI-ja nuk ka qenë kaq shumë e përçarë? Si u shkaktuan puçet në BFI dhe kush po i motivon ato puçe, cili është roli i Shaqir Fetait në këto puçe dhe a po i shkakton ai me qëllim që ta fitojë dhe gëzojë përkrahjen e politikës partiake por dhe policore? Këta “delegacione të larta” të Shaqir Fetait a i njohtuan xhematet si në vend ashtu edhe në diasporë me aktivitetet që u ndërmorën në rrafshin humanitar! Çka u bë në këtë plan, sa aktivitete humanitare u zhvilluan, cila ishte sasia e ndihmave që u shpërndanë, ku u shpërndanë ato ndihma, sa iftare u shtruan, ose, pse Shaqir Fetai dështoi katërcipërisht në humanitet, pse asnjë aktivitet, asnjë iftar apo syfyr humanitar nuk u shtrua në asnjë shtëpi të varfër, në asnjë ent strehues të hallexhinjëve, pse nuk pati asnjë guzhinë popullore, pse nuk u shpërnda asnjë paqetë humanitare. Pse kaq cinizëm nga ana e Shaqir Fetait sidomos për Ramazan, cinizëm ky që kulmoi “me shpërndarjen e 24 ton hurma” dhuratë nga Mbreti Saudit! Kjo sasi hurmash është dashur të gjendet e paketuar në 48 mij pako (nga 500 gram)! A i ka parë dikush se ku janë shpërndarë këto pako me hurma? Kur u shpërndanë, si u shpërndanë, a u organizua ndonjë falënderim kolektiv për Mbretin Saudit për këtë dhuratë, apo i vodhi dikush duke i magazinuar për t’i shitur për Ramazanin e ardhshëm?
Pra, “komisionet e larta” të Shaqir Fetait do të duhej të merreshin me këto sqarime e “ligjërime” dhe jo e gjithë kjo poshtërsi të kamuflohet me metodat alla-shaqiriane: mbani vaze, këndoni bukur, faluni qetë, me qëllim që xhemati i vendit të shikojë se çfarë “alimash” ka përreth Shaqir Fetait. E në fakt, të gjithë këta “alima” nuk janë asgjë tjetër përveç çergë e pondlaftë e Shaqir Fetait nën të cilën ai i fshehë dështimet, vjedhjet, shkatërrimet, devalvimet, duke menduar se kësisoj do të fshihen këta gjurmë imorale dhe e vërteta kurrë nuk do të dalë në shesh! E vërteta rreth Shaqir Fetait është e bekuar nga vetë Zoti i Madh dhe kjo kurrë nuk mund të fshihet: shumë shpejt Shaqir Fetai do të lakuriqësohet dhe do t’i dalin në mejdan të gjitha misionet e tij anti-njerëzore, anti-islame, anti-institucionale.
Do me thënë, “komisionet e larta” të Shaqir Fetait duhet të ligjërojnë e të këndojnë sa më bukur Kur’an, me qëllim që të “dehet” xhemati dhe më lehtë t’i kërkohen fitrat dhe zeqati! Kësaj radhe po kërkohet ndihma “Ndihmo një medresant”! Një modesti e poshtër! Të “ndihmohet një medresant”! Medresanti po i ndihmon vetes, sepse ai po participon në shkollim! Po paguan! Çfarë faji ka një medresant se sot Medresja ka më shumë profesorë e personel teknik se sa që ka nxënës! Pse po tkurren paralelet dhe numri i medresantëve? Pra, moto më islamike do të ishte “dhuroni djersën e juaj t’ua sigurojmë rrogat profesorëve dhe personelit teknik” të Medresesë? Edhe më korrekte do të ishte të nënvizohet “Medresesë Isa Beu” emër këtë që ia vumë gjimnazit publiko-privat që sapo e regjistruam, fill pas çregjistrimit të Shkollës së mesme profesionale e tradicionale Medresesë “Isa Beu”!
Po pse Shaqir Fetai u drejtohet myslimanëve të vendit për fitra e zeqat për “medresantin” kur dihet që tërë procesi i akreditimit të Medresesë është menduar pikërisht për heqjen dorë prej këtyre kontributeve me qëllim që Medresja të përkrahet me financa nga buxheti shtetëror. Fundja, kjo është edhe logjika e akreditimit dhe jo futja nën kontrollin e shtetit, nën diktatin e shtetit dhe me paratë e popullit!
Prandaj edhe me kohë është menduar që, gradualisht të hiqet dorë nga ky manipulim “jepni fitra për Medresenë”, por të kërkohen kontributet e myslimanëve të vendit për ta mbajtur, për ta zhvilluar dhe avancuar jetën fetare islame në vend. Ky synim po që ka kuptim, ndërsa kjo siç propagandohet nga Shaqir Fetai ka për qëllim fshehjen e rrenës së madhe të tij, fshehjen e gjurmeve të vjedhjes së madhe që po bëhet prej tij si dhe komplimentimin e shtetit që po bën për Medresenë por me paratë e popullatës myslimane! Dhe këtë rol Shaqir Fetai ua beson “komisioneve të larta” të “rijasetit” të tij! Dhe tërë kjo ndyrësirë planifikohet, demonstrohet dhe zbërthehet pikërisht në Muajin e Bekuar të Ramazanit dhe pikërisht nga Hafëz Shaqir Fetai! Hafëz?!

Leave a Reply