Kompania Pucko Petrol nga Pllasnica vetëm në shtator ka fituar dhjetë tenderë nga shteti. Ata peshojnë mbi gjysmë milioni euro. Do t’i furnizojnë me derivate të naftës Komunën e Prilepit, Qendrën e Shëndetetit në Shtip, Gjykatën në Kërçovë, Klinikën Universitare, Komunën e Çuçer Sandevës, shkollën Kole Nedellkovski në Veles, Komunën e Çairit, Probishtipin, Elektranat Shtetërore dhe Ministrinë e Brendshme. Kompania është në pronësi të Asmir Jahoski, djali i deputetit të BDI-së Ismail Jahoski. Pyetëm në Komisionin Antikorrupsion nëse ekziston konflikt interesi dhe ndikimi politik, që një kompani në pronësi të djalit të një deputeti, fiton kaq shumë tenderë shtetërorë.
“Që të hiqet dyshimi për konflikt të mundshëm interesi dhe rreziku të ndikimit, veçanërisht ndikimi politik, është e nevojshme që procedura e prokurimit publik të zhvillohet në mënyrë transparente dhe të sigurojë konkurrencë të ndershme dhe zgjedhjen e ofertës që ekonomikisht është më e favorshme”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e Komisionit Antikorrupsion.
Ivanovska shtoi për Alsat se është e rëndësishme që më shumë kompani të aplikojnë për tenderë në mënyrë që të hiqet dyshimi nga ndikimi. Prandaj i kontrolluam kontratat e shtatorit. Në tender, në njoftimin publik të komunës së Çucer Sandevës kishte vetëm një ofertë, ajo e Pucko Petrol. Njëjtë është edhe me Gjykatën në Kërçovë, oferta e vetme është ajo e ndërmarrjes së Jahoskit.
Pucko Petrol fitoi tenderin për fuznizimin me benzinë dhe naftë për komunën e Çairit, e cila drejtohet nga kuadër i BDI-së, dhe ka fituar për vetëm 68 denarë ofertë më të lirë krahasuar me kompaninë konkurruese. Nuk ka pasur ankand elektronik, por ofertat kanë qenë përfundimtare dhe tenderi kap vlerën prej 19 mijë eurosh. Sipas Byrosë së Prokurimeve Publike, tenderi i fundit i fituar nga Pucko Petrol është i datës 2 të këtij muaji. Për 13 mijë euro do ta furnizojë komunën e Kisella Vodës me naftë dhe benzinë për automjetet zyrtare. Edhe këtu oferta e Pucko Petrol është ishte e vetmja dhe asnjë kompani tjetër nuk ka aplikuar në tender./Alsat/