Qeveria shqiptare hedh të tjerë hapa për të çuar përpara idenë e prodhimit të armëve në vend. Për këtë janë bërë një sërë ndryshimesh ligjore me qëllim krijimin e lehtësirave për kompanitë që do të angazhohen në këtë industri.
Kështu, të gjitha subjektet që do të merren me prodhimin e armëve “Made in Albania” nuk do të paguajnë taksa për 10 vitet e para. Sipas një projektligji të hedhur për konsultim publik, Shqipëria po përgatitet për zhvillimin e industrisë së prodhimit të armëve, duke përcaktuar edhe rregullat për kompanitë.
“Këto lehtësira përfshijnë procedura të përshpejtuara për licencimin dhe regjistrimin e veprimtarisë, sipas legjislacionit në fuqi. Norma e tatimfitimit është 0 për 10 vitet e para të aktivitetit, ulje e tatimit mbi vlerën e shtuar në masën 10%, për furnizimet dhe shërbimet e nevojshme për prodhimin e armatimit ushtarak, si dhe çdo përjashtim tjetër tatimor i aplikueshëm, bazuar në legjislacionin në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar, përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, përjashtim nga taksa vendore dhe qendrore për një periudhë 10-vjeçare, përjashtim nga të gjitha taksat doganore për mallrat, të cilat shërbejnë drejtpërdrejt për prodhimin e armatimit ushtarak.”
Por për të përfituar këto lehtësi, kompanitë duhet të investojnë të paktën 25 milionë Euro.
“Subjektet që dëshirojnë të investojnë në industrinë e prodhimit të armatimit ushtarak në Republikën e Shqipërisë dhe që planifikojnë një investim fillestar prej së paku 25 milionë Euro, kualifikohen për të përfituar lehtësira dhe incentiva.”
Procesi i licencimit dhe monitorimit të subjekteve do të kryhet nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes, pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes. Ideja e prodhimit të armëve në vend u zbulua nga kryeministri Rama gjatë vizitës në vendin tonë të Presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenski.