“Kosova në rrezik nga pretendimet territoriale të Serbisë”
Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka alarmuar se Serbia mund të përsëris skenarin e Banjskës edhe në përmasa më të mëdha në veri të vendit. Pas takimit që zhvilloi me presidentin e këshillit kombëtar të Zvicrës ai përmendi rrezikun që i kanoset Kosovës për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë.
Akuzoi Serbinë se po i shkel parimet e marrëveshjes Kosovë-Serbi. E presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa që parandalojnë tensionet dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve
“Zvicra është e shqetësuar për tensionet në rritje në lidhje me pakicat serbe në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa që të parandalojnë tensionet. Zvicra mbështet dialogun, Kosova ka Zvicrën një aleate të besueshme për zhvillim dhe integrimin evropian”, tha Eric Nussbaumer.
Edhe ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i tha agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputjen e një pjese të Bosnje e Hercegovinës, janë rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.