Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare, partitë politike në Bullgari vazhdojnë t’i betonojnë pozicionet ndaj Maqedonisë së Veriut. Shefja e diplomacisë, Ekaterina Zaharieva tha se Bullgaria një ditë do t’i thotë “PO” fillimit të negociatave, por siç thotë pasi t’i jepet fund fushatës anti-bullgare dhe urrejtjes. Zaharieva gjithsesi kritikoi qasjen e partnerit të koalicionit, Krasimir Karakaçanov, duke kërkuar që marrëdhëniet fqinjësore të mos bëhen pjesë e fushatës parazgjedhore.
“Atje mund të fitohen zgjedhjet me retorikë anti-bullgare. Në Bullgari mund të ketë miratim të pozicionit tonë, por nuk do të thotë se vetëm për këtë arsye dikush mund t’i fitojë zgjedhjet. Në Bullgari, falë Zotit, zgjedhjet nuk fitohen duke i kundërshtuar fqinjët. Kështu dhe duhet të jetë”, tha Ekaterina Zaharieva, ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Numri një i opozitës bullgare, Kornelia Ninova u zotua se nëse i fiton zgjedhjet do t’i mbrojë interesat bullgare.
“Kategorisht do të mbrohen interesat kombëtare të Bullgarisë. Maqedonia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së në kurriz të interesave kombëtare të Bullgarisë”, tha Kornelia Ninova, Kryetare e Partisë Socialiste të Bullgarisë.
Shkupi e Sofja kanë shkëmbyer propozim plane aksionare për realizimin e Marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017-të dhe po punojnë në harmonizimin e të njëjtit. Është paralajmëruar mbajtja e takimit të përbashkët ndër-qeveritar, megjithatë data ende nuk është caktuar.