Maqedonia e Veriut mund të mos nisë bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian në nëntor, në rast se nuk arrihet marrëveshje me Bullgarinë, e cila këtë çështje e ka kushtëzuar me zgjidhjen e dallimeve për emrin e shtetit, gjuhën maqedonase dhe definimin e prejardhjes etnike të disa personaliteteve historike.
Kështu ka deklaruar ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani duke theksuar se vendimi duhet të merret nga të gjitha 27 shtetet anëtare të unionit.
“Natyrisht se parakusht për të hapur këtë mbledhje të parë ndërqeveritare, apo për nisjen e bisedimeve duhet të ketë konsensus për tekstin e bisedimeve, për të cilin Bullgaria ka vërejtjet e saja ku edhe i ka ngritur. Nuk është sekret e Bullgaria gjatë debatit në Bruksel ka kontestuar emrin e shkurtër të vendit dhe gjuhën. Ne po bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur një gjuhë të përbashkët, natyrisht në kuadër të kornizës që e ka paracaktuar marrëveshja, që për çështjet historike vendimi të merret nga komisioni i historianëve”, ka deklaruar Osmani.
Drejtuesit e institucioneve shtetërore, “shpëtimin” nga gjendja e krijuar me mundësinë e bllokimit të bisedimeve e shohin në nënshkrimin e një aneksi në kuadër të Marrëveshjes për fqinjësi të mirë (që Shkupi dhe Sofja kanë arritur më 2017) apo edhe të një deklarate në të cilët do të konfirmohet se “Republika e Maqedonisë së Veriut” është emri i vërtetë i shtetit dhe se “Maqedonia e Veriut” është emri i shkurtër kushtetues dhe se ky emër ka të bëjë vetëm se me territorin aktual të shtetit i cili nuk ka pretendime territorial ndaj asnjë vendi fqinj.
Kryeministri maqedonas Zoran Zaev gjithashtu ka shprehur gatishmërinë që të vërtetojë atë që qëndron në kushtetutë për mosndërhyrje në punët e brendshme të Bullgarisë.
Por, sa i përket gjuhës maqedonase, drejtuesit shtetërorë kanë thënë se kompromis për këtë çështje nuk do të ketë. Pala bullgare pretendon se gjuha maqedonase, sikur edhe shtetit maqedonas, janë formuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Njohësit e çështjeve politike, thonë se mosmarrëveshjet mes dy shteteve janë pasojë e moszgjidhjes me kohë të dallimeve, e të cilat, siç thotë analisti Albert Musliu kanë ekzistuar edhe para pavarësimit të Maqedonisë së Veriut nga ish-Jugosllavia.
“Nuk i është dhënë shumë vëmendje kapërcimit të mosmarrëveshjeve, kështu që do të jetë një proces pak më i gjatë. Nga ana tjetër mendoj se janë dy faktorë të cilët e ndihmojnë procesin; njëri është interesi i faktorit ndërkombëtar, veçanërisht i lojtarëve më të mëdhenj të faktorit ndërkombëtar, këtu mendoj në Gjermaninë, e cila edhe kryeson me BE-në dhe faktori i dytë është afërsia mes dy kryeministrave, Bojko Borisov dhe Zoran Zaev, të cilit ishin të parët e zhbllokuan procesin. Unë jam optimist se pavarësisht se si do të zhvillohet narrativi në Bullgari e cila është në një fushatë zgjedhore, mendoj se nuk do të bllokohet procesi”, thotë Musliu.
Duke marrë parasysh qëndrimet me dy shteteve, Simonida Kacarska nga Qendra për Politika Evropiane, thotë se nuk sheh shumë hapësirë për koncesione nga pala maqedonase.
“Unë mendoj se qeveria e Bojko Borisovir duhet të tregojë nëse i ka premtuar diçka publikut të saj nga ato kërkesa maksimaliste që kishte. Konsideroj se kërkesat e ndjeshme nuk mund të pritet të jenë pjesë e këtij dokumenti që po diskutohet”, tha Kacarska.
Ajo megjithatë vlerëson se deklarata e fundit të zyrtarëve të lartë bullgarë janë më tepër për fushatë zgjedhore.
“Ministri bullgar i mbrojtjes Krasimir Karakaçanov dhe eurodeputeti Andreja Kovaçev janë zërat e kërkesave maksimaliste, por mendoj se çdo kërkesë e tyre mund të interpretohet në kontekst të zgjedhjeve. Për ne është me rëndësi se të dimë qëndrimet e kryeministrit Borisov dhe të shefes së diplomacisë, Ekaretina Zaharievës”, ka deklaruar Kacarska.
Bullgaria, përmes një memorandumi gjashtë faqesh, i ka kërkuar vendeve anëtare të BE-së, që në kuadër të kornizës negociuese me Shkupin, të fusin edhe Marrëveshjen për fqinjësi të mirë, që Sofja dhe Shkupi kanë arritur më 2017.
Në këtë memorandum, Bullgaria ka argumentuar se me Maqedoninë e Veriut ende nuk kanë zgjidhur kontestet rreth gjuhës, historisë së përbashkët dhe pakicave. Po ashtu, Sofja zyrtare ka paralajmëruar se mund të vendosë edhe veto për anëtarësimin e Shkupit në BE.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, në gusht të vitit 2017 nënshkruan Marrëveshjen për fqinjësi të mirë. Kjo marrëveshje ka për synim zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve fqinje, që kanë të bëjnë kontestimin e gjuhës maqedonase nga ana e Bullgarisë si dhe kontesteve rreth ngjarjeve historike deri në vitin 1944, përkatësisht prejardhjen e heroit të dy vendeve, Goce Dellçev, rolin e OBRM-së (organizata e brendshme revolucionare maqedonase) dhe Kuvendin e Ilindenit, që kishte shpallur pavarësinë e shtetit të parë maqedonas, më 2 gusht të vitit 1903./REL/