Muzeu i Arsimit Kombëtar ditën e sotme nuk ka pritur vizitorë, ashtu si ishte bërë traditë prej vitesh në nisje të vitit të ri shkollor.
Kjo për shkak të fillimit të punimeve për restaurimin e godinës, ku 132 vjet më parë u hap shkolla e parë laike shqipe.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjergji Koki bën të ditur se brenda këtij viti është parashikuar që të përfundojë restaurimi i muzeut I cili u dëmtua thellë nga tërmeti i 1 qershorit të këtij viti.
Godina gati 200 vjeçare prej vitesh është amortizuar megjithëse në të janë kryer riparime të pjesshme herë pas here, ndërkohë që tërmeti i 1 qershorit i shkaktoi dëme të rënda duke i detyruar autoritetet të shpejtojnë restaurimin e saj. Prej më shumë se tri muajsh muzeu kombëtar i arsimit është mbyllur për vizitorët.