Koreja e Veriut gjuajti një raketë balistike në Detin Lindor në Lindjen e Largët të mërkurën, por raketa shpërtheu në ajër. Lajmi u dha nga ushtria e Koresë së Jugut, mes spekulimeve se Veriu mund të ketë lëshuar një raketë hipersonike.
Shefat e Përbashkët të Shtabit (JCS) të forcave të armatosura të Koresë së Jugut thanë se raketa u qëllua nga një zonë në ose rreth Phenianit rreth orës 5:30 të mëngjesit. Autoritetet e inteligjencës së Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara po kryejnë një analizë të detajuar.
Një burim ushtarak i tha agjencisë së lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap, se Veriu duket se ka lëshuar një raketë hipersonike, por testi besohet të ketë përfunduar me dështim pasi raketa fluturoi rreth 250 km.
Një zyrtar i JCS më vonë u tha gazetarëve në kushte anonimiteti se ushtria po konsideronte lëshimin e një rakete hipersonike, duke vënë në dukje se raketa shpërtheu në ajër mbi ujërat e bregut lindor të Veriut.
Raketat me lëndë djegëse të ngurtë konsiderohen më të vështira për t’u zbuluar përpara lëshimit në krahasim me ato me karburant të lëngshëm, pasi ato kërkojnë më pak procedura përgatitore, siç është injektimi i karburantit.
Lëshimi i raketës erdhi pasi Pheniani kritikoi mbërritjen në Korenë e Jugut të aeroplanmbajtëses amerikane USS Theodore Roosevelt dhe paralajmëroi për masa parandaluese kundër atij që e quajti një akt “provokues”.