“Çdo aspekt i politikës ndaj Koresë së Veriut” do të diskutohet kur këshilltarët e sigurisë kombëtare nga SHBA, Koreja e Jugut dhe Japonia të takohen të premten, sipas një zyrtari të lartë të administratës amerikane.
Ky është takimi i parë trepalësh i këtij lloji që kur Joe Biden u bë president.
Analistët thonë se bisedimet zhvillohen ndërkohë që ekzistojnë dallime të rëndësishme në qëndrimin ndaj Koresë së Veriut mes Uashingtonit, Seulit dhe Tokios.
Provokimet e fundit të Phenianit me lëshimin e raketave, reagimi koreano-verior ndaj koronavirusit si dhe diskutimet e fundit mes Kinës dhe Koresë së Veriut janë në axhendën e takimit, sipas zyrtarit amerikan i cili u tha gazetarëve të enjten se “synimi ynë është të bëjmë një analizë të thellë që të na shërbejë për të udhëhequr procesin në të ardhmen”.
Takimi në Akademinë e Marinës në Anapolis të Merilandit zhvillohet pasi Koreja e Veriut kreu prova me raketa kruz si dhe me raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.
“Çdo gjë që bëjmë në drejtim të Koresë së Veriut, ne besojmë se duhet bërë në partneritet dhe në harmoni me Japoninë dhe Korenë e Jugut,” tha zyrtari i lartë i administratës, i cili bëri komente me kusht që të mos identifikohej.
“Nuk pritet që të ketë ndonjë arritje të rëndësishme në Anapolis ose në muajt në vazhdim para zgjedhjeve presidenciale në Korenë e Jugut,” tha analistja Sue Mi Terry e Qendrës për Studime Strategjike e Ndërkombëtare.
Bisedimet në Akademinë e Marinës pasojnë vizitën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin në Japoni dhe Korenë e Jugut. Këto vizita kanë për synim të dëshmojnë se Presidenti Biden po përpiqet të fuqizojë aleancat e Amerikës në Azi, pas tronditjeve të shkaktuara gjatë administratës së mëparshme.
Ish-Presidenti Donald Trump kritikoi Tokion dhe Seulin se po “shfrytëzonin” Amerikën dhe nuk kontribuonin sa duhet për nevojat e veta mbrojtëse nën ombrellën bërthamore të Amerikës. Zoti Trump u përpoq t’u bënte presion të paguanin më shumë Japonisë dhe Koresë së Jugut, dy vende ku Amerika ka një numër bazash ushtarake.
Zyrtari i lartë i administratës tha se bisedimet e së premtes do të përfshinin edhe tema të tjera rajonale me interes të përbashkët, ndër to “situatën tragjike në Mianmar” dhe qëndrimin gjithnjë e më agresiv të Pekinit në Detin e Kinës së Jugut.
“Tre palët duhet të bien dakord dhe të koordinojnë veprimet kundrejt Kinës dhe Koresë së Veriut. Por problemi qëndron tek Seuli,” tha analisti Duyeon Kim për Zërin e Amerikës.
President koreano-jugor Moon Jae-in shihet si i rezervuar dhe jo i gatshëm për t’u bashkuar me përpjekjet për presion ndaj Kinës, sidomos pasi koordinimi kërkon bashkëpunim të hapur me Japoninë.
“Ndjenjat anti-japoneze janë të forta në radhët e bazës së zotit Moon, aq sa ai nuk mund të bashkëpunojë as për këtë pikë, siç kanë bërë qeveri të tjera konservatore në Korenë e Jugut,” thotë zoti Kim.
Sipas analistëve, Uashingtoni ka shfaqur irritim në rritje lidhur me rezistencën e Seulit ndaj bashkëpunimit me Tokion, për arsye historike, ndërkohë që ka tema serioze aktuale që kërkojnë vëmendje. Japonia ka qenë në të kalurën kolonizatore e Koresë së Jugut./VOA