Korrupsioni manifestohet më së shumti në gjyqësi dhe prokurimet publike, prandaj edhe Institucionet gjatë vitit 2021 duhet të fokusohen pikërisht tek këto dy sfera. Natali Petrovska, nga Koalicioni “Të Gjithë për Gjykim të Drejtë”, tha se që lufta kundër korrupsionit të ketë fillim të mbarë, pikë së pari duhet të demonstrohet vullnet i shtuar politik. Sipas saj, filtrimi i kuadrit të angazhuar në gjyqësor, është më se i domosdoshëm.
Vëmendja fillimisht duhet t’i kushtohet mungesës së një sistemi efikas për rritjen e integritetit në gjyqësi dhe Prokurorinë Publike, te pamjaftueshmëria e resurseve kadrovike dhe materiale në këto institucione, por edhe te mënjanimi i përshtypjes për parregullsi gjatë zgjedhjes dhe avancimit të gjykatësve dhe prokurorëve publik, lidhjet e tyre me qendra të caktuara të pushtetit, por para kësaj duhet vepruar me forcim të reformave për verifikim të vet integritetit të faktorit njeri- deklaroi Natali Petrovska.
German Filkov, nga Qendra për Komunikime Civile, alarmon se Prokurimet Publike gjithashtu janë ngulfatur nga korrupsioni. Ai kërkon nga Komisionit për Luftë Kundër Korrupsionit që të veprojë më shumë me vetiniciativë për të ndjekur raste të tilla.
Në kërkimin tonë 48% e firmave thonë se në të gjithë tenderët ka parregullsi. Ajo që e bën specifik korrupsionin tek tenderët është se përveç se për shfrytëzim personal, vjen post festum, pra “ ju ndihmoni gjatë fushatës zgjedhore dhe ajo që është dhënë do të kthehet në njëfarë mënyrë përmes tenderëve- pohoi German Filkov- Qendra për Komunikime Civile.
Kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, tha se gjatë vitit 2021 nën llupë do të jenë dhjetëra zyrtarë nga pushteti, lokal, qendror si dhe kuadër i angazhuar në sistemin e drejtësisë. Me ato financa, kuadër dhe hapësira sa kanë momentalisht në dispozicion nuk mund të bëhet më shumë, tha ajo.
Në mungesë të të dhënave nga Këshilli Gjyqësorë Republikan, për atë se për cilët gjykatës ka më shumë ankesa, ne u bazuam tek burimet tona, përkatësisht tek paraqitjet e qytetarëve, se për cilët gjykatës kanë pasur më shumë ankesa. Do të përfshihen 15 gjykatës, 15 kryetarë komunash dhe 15 anëtarë të Qeverisë- tha Biljana Ivanovska- kryetare e Komisionit oër Antikorrupsion.
Këto vlerësime u dhanë gjatë konferencës së organizuar nga Platforma e Organizatave Civile për Luftë kundër Korrupsionit, ku u diskutuan sfidat antikorruptive gjatë vitit 2021.