Atëherë kur shumica e drejton gishtin tek të tjerët për të luftuar korrupsionin në drejtësi, e kur ethet e reformës duhet të kishin kapur gjyqtarët e prokurorët e korruptuar siç edhe janë etiketuar, avokatët vetëdeklarohen me të njëjtin simptomë.
Kreu i shoqatës së Avokatëve penalistë Saimir Visha tha se problemi i korrupsionit është shqetësim po kaq i madh sa edhe tek aktorët e tjerë të drejtësisë.“Ne jemi aktorë të sistemit të drejtësisë, pavarësisht se ambasadorët flasin për gjykatës e prokurorë, po jemi dhe ne shumë problem që duhet të vetëkritikohemi, të tregojmë ato dobësi që ka avokatia shqiptare. Ka dhe shumë avokatë që flasin në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve duke marrë shuma marramendëse, ndonëse gjyqtarët e prokurorët nuk kanë dijeni”, tha Saimir Visha.Megjithëse e konsideroi si festive atmosferën që afroi për juristët, ceremonia e shpërndarjes së “Togës së artë”, kryeprokurori i krimeve të rënda nuk e la pa përmendur problemin e korrupsionit.“Fjalë të mira për njëri-tjetrin, se boll u bë kaq kohë që po dëgjojmë shigjetime dhe etiketime. Nuk është gjithçka e vërtetë, Ne jemi njerëz që merremi me drejtësinë, dikujt i pëlqen e dikujt jo, por ajo pjesë që është pjesë më e shëndosh e jona, është pjesa më e madhe”, tha Blerim Tominaj, kryeprokuror i Krimeve të Rënda.Në ceremoninë vjetore për avokatët iu akordua “Toga e artë” Fatmira Laskaj, Ali Metajt , Shefqet Muçit dhe Nuredin Salatit./ Top Channel