Kosova është një shtet i vogël, por po rezulton një superfuqi në sportin e xhudos. e vërteton më së miri këtë emri i Majlinda Kelmendit, kampione olimpike dhe fituese e një sërë turnesh të tjera ndërkombëtare.
Sigurisht nuk ka qenë një rrugë e lehtë ajo e përshkuar nga sportistët kosovarë që për shumë kohë kanë vuajtur pasojat e represionit politik në Kosovë duke u detyruar edhe të braktisin kombëtaren e ish Jugosllavisë sic ka ndodhur edhe me trajnerin e njohur të xhudos në Kosovë, Driton Kuka të cilin sportistë e thërrasin ndryshe edhe thjesht ‘toni’.
“Ëndrra ime u thye për arsye politike. në atë kohë të gjithë sportistët kosovarë lanë përfaqësuesen e ish Jugosllavisë dhe unë si gjithë të tjerët e bëra këtë për shkak të politikës shtypëse kundër popullit tonë. Arritëm që pas luftës të gjejmë fëmijë të dalë nga lufta në lagjet e Kosovës dhe tani pas 15 vitesh kemi në gjendje që të konkurrojmë me të gjithë botën kundër sportistëve nga Franca, Japonia apo Brazili që kanë me mijëra xhudistë”, shprehet trajneri i xhudos, Driton Kuka.
Ndërkaq vetë Majlinda Kelmendi tregon sesi hyri në botën e xhudos, duke pranuar se gjithçka ishte një rastësi ndërkohë që nuk harroi të njohë meritat e trajnerit Kuka për sukseset e xhudos kosovare.
“Ishte një rastësi sepse shtëpia ime ishte pranë sallës dhe ndoshta ashtu si të gjithë fëmijët në lagje unë shkova atje për t’u argëtuar. nuk dija asgjë për xhudon, por ditë pas dite fillova ta dua këtë sport gjithnjë e më shumë dhe ja ku jam. po të mos ishte Toni, Kosova nuk do të kishte fituar gjithë këto medalje, sidomos të artën olimpike. Toni është zanafilla e gjithçkaje. Falë tij Kosova fitoi medalje Olimpike dhe është pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar”, shprehet xhudistia, Majlinda Kelmendi.