Mbrëmë u raportua se një shtetas i Kosovës ka mbetur i vdekur në zonën e Luginës së Valbonës, te vendi i quajtur “Maja e Thatë”.
Për lokalizimin dhe tërheqjen e trupit të tij u angazhuan ekipe nga Shqipëria, por edhe nga Kosova.
Policia e Shqipërisë njoftoi mbrëmë se për shkak të terrenit të thepisur malor, për nxjerrjen e trupit të personit që dyshohet se ka vdekur, nevojitet ndihma e helikopterit.
Megjithatë, deri në këto momente, viktima ende nuk është tërhequr.
Ndërkaq, siç mëson Klankosova.tv, ekipet e kërkim-shpëtimit nga Kosova dhe Shqipëria kanë shpëtuar tre shtetas të Kosovës të cilët kishin mbetur të ngujuar në po atë lokacion.
Mësohet po ashtu se është kërkuar ndihma e KFOR-it që të ofrojë një helikopter, meqë helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë janë të angazhuar krejtësisht në shuarjen e zjarreve që kanë prekur shumë zona të vendit.