Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me anë të një postimi të shkurtër në rrjetin social Facebook ka konfirmuar dekretimin e kryeprokurorit të ri të vendit.
“Dekretova Aleksandër Lumezin, kryeprokuror të Republikës së Kosovës. Na presin shumë punë për ta konsoliduar sundimin e ligjit, prej të cilit varet e ardhmja e vendit tonë”, shkruan presidentja kosovare.
Vetëm pak ditë më parë, më 18 Prill, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i hapi rrugë dekretimit të Aleksandër Lumezit për kryeprokuror të shtetit.
Emri i Lumezit, prej disa muajsh ishte në pritje të dekretimit nga Presidentja Jahjaga, pasi kishte marrë votat e mjaftueshme në Këshillin Prokurorial për këtë post, por që për shkak të procedurave të ndjekura, Gjykata Kushtetuese kishte kërkuar trajtimin e materialit të kësaj çështjeje.