Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka mirëpritur rikthimin e qarkullimit në urën e Mitrovicës. Përmes rrejtit social Facebook, Jahjaga e ka vlerësuar eventin e sotëm si një moment të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës.
“Mirëpres fillimin e punimeve sot për rivitalizimin e urës së Mitrovicës. Ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e Kosovës, për lirinë e lëvizjes dhe të ardhmen shumetnike të vendit. Falenderoj Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen që dhanë në këtë proces të rëndësishëm”, është shprehur Jahjaga.
Në anën tjetër, edhe lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me fillimin e punimeve në urën mbi lumin Ibër, duke shprehur jo pak kritika.
“Ky është një prej implikimeve direkte të marrëveshjes së 25 gushtit 2015, që i hap rrugë “Zajednicës”. Është lëshimi i radhës i perit, që e copëton edhe më shumë Mitrovicën. Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalojë menjëherë”, thuhet në reagimin e partisë opozitare.