Policia e Kosovës ka zbatuar urdhërin e gjykatës dhe e ka çuar të pandehurin Albin Kurti në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.
Kurti ka refuzuar të japë deklaratën e tij para prokurorit të rastit, i cili ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit.
Prokurori pretendon se, me protestën e sotme Kurti ka përsëritur veprën penale për të cilën akuzohet dhe ka qëndruar në arrati, duke shpërfillur kërkesën e Prokurorisë.
Departamenti për Krimet e Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës po e heton deputetin e Vetëvendsjes për veprat penale të “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, “përdorim të armës” dhe “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave”.
Prokurori ka siguruar opinionin publik se është i vendosur që të respektojë të gjitha dispozitat ligjore për secilin rast, pavarësisht së kush është i dyshuar për vepër penale.
“Çdo veprim do të bëhet duke respektuar dinjitetin e secilit individ, duke i trajtuar të gjithë në mënyrë të barabartë e të paanshme, përfshirë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe të arrestuarit e tjerë të sotëm”, thuhet në një komunikatë.