Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni zgjodhi një konferencë të organizuar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, për të treguar përkushtimin e policisë në parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në luftërat e huaja.
Ai tha se, përveç veprimeve hetuese të përbashkëta me Prokurorinë e Shtetit, situata po monitorohet dhe vëzhgohet nga afër, për t’u siguruar – siç tha, – që qytetarët të mos përfundojnë në luftërat përkrah ISIS-it.
“E kemi bërë të njohur disa herë, që Policia e Kosovës ka ndërmarrë veprime konkrete në bashkëpunim të ngushtë edhe me Prokurorinë e Shtetit, duke arrestuar një numër të madh qytetarësh, për të cilët ne kemi informacione të konfirmuara dhe dyshohen se kanë qenë pjesë e luftërave në Siri dhe Irak. Policia e Kosovës, përpos këtyre veprimeve, aktualisht është duke e monitoruar dhe duke e përcjellë situatën për së afërmi, për t’u siguruar që qytetarët tanë nuk do të përfundojnë prè e aventurave të ndryshme, dhe që nuk do të ndërmarrim detyrimisht masa dhe veprime të parashikuara nga ligji, për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e atyre luftërave”, tha Shpend Maxhuni, drejtor i Policisë së Kosovës.
Shifrat zyrtare të Qeverisë së Kosovës tregojnë se, rreth 40 shtetas të Kosovës janë vrarë duke luftuar përkrah organizatave terroriste në Siri dhe Irak, ndërsa numri i përgjithshëm i atyre që ndodhen aktualisht në vatrat e luftës është rreth 100.
Mediat raportuan se, pak kohë më parë, është vrarë edhe një tjetër shtetas kosovar, Bekim Mulolli, i cili ishte pjesë e një procesi gjyqësor dhe ndaj tij është dhënë masa e “arrestit shtëpiak”.
Nga ana tjetër, në hulumtimet e bëra nga organizata të shoqërisë civile, rezultojnë se Kosova renditet e para në Europë, për sa i përket shtetasve të saj që u janë bashkuar luftërave të huaja, e pasuar nga Bosnja, Belgjika dhe Shqipëria.
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka kritikuar institucionet e Kosovës se, me gjithë arrestimin e personave të përfshirë, 60 për qind e tyre janë liruar, ndodhen në monitorim, ose janë liruar plotësisht për shkak të mungesës së provave.