Ka mbërritur në Kosovë ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie.
“Sapo mbërrita në Prishtinë. Ndihem shumë mirë që jam në Kosovë dhe i emocionuar”, ka shkruar në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, ambasadori amerikan.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se, ambasadori Greg Delawie do të dorëzojë letrat e tij kredenciale te Presidentja, Atifete Jahjaga, e më pas do të ketë një bisedë private me të.
Diplomati amerikan do të pritet gjithashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.
Vetëm dy ditë më parë, Ambasada e SHBA-ve publikoi një videoprezantim të ambasadorit Delawie, i nominuar në muajin mars në këtë detyrë nga Presidenti Barack Obama. Në videon njëminutëshe, ai thotë se ndihet i nderuar që do të shërbejë në Kosovë, duke u vënë një theks të veçantë marrëdhënieve të mira mes dy shteteve dhe dy popujve.