Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa projektligje me procedurë të përshpejtuar, duke bërë shmangie të rregullores së punës, për të arritur në kohë afatet për përmbushjen e kritereve për procesin e liberalizimit të vizave.
Projektligji për gjykatat, i cili u prezantua nga ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ngjalli më së shumti debate, por në fund u miratua me shumicë votash nga deputetët. Kuçi prezantoi risitë që përmban ky projektligj.
“Një çështje e veçantë ka të bëjë me themelimin e Departamentit të veçantë për Çështje Ekonomike, në kuadër të Gjykatës Themelore. Në Prishtinë do të funksionojë një divizion i veçantë për kontekstet që lidhen me investimet e huaja, me juridiksion në gjithë Republikën e Kosovës”, tha Kuçi.
Deputetë të mazhorancës, por edhe ata të opozitës, kritikuan sistemin e drejtësisë, duke kërkuar nga qeveria të hartojë ligje më të mira në këtë fushë.
Një tjetër projektligj me rëndësi për heqjen e vizave është edhe ai për “Përgjimin e Telekomunikimeve”, i cili është kthyer javë më parë për plotësime, nga ana e qeverisë.
“Projektligji ka përcaktuar edhe parimet themelore dhe udhëheqëse në rastet e përgjimeve, të cilët janë: respekti për të drejtat themelore dhe lirive të njeriut, të njohur dhe të garantuar me Kushtetutë dhe me konventën evropiane mbi të drejtat dhe liritë e njeriut, përfshirë edhe mënyrat siç janë interpretuar nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, përmes praktikës së saj gjyqësore. Së dyti, ndalimin e përgjimit pa një vendim përkatës të gjykatës. Në një shoqëri demokratike, gjykata kompetente është e detyruar të mbrojë të drejtat e gazetarëve në burimet e informacionit dhe në mos zbulimin e tyre, sipas ligjit për mbrojtjen e gazetarisë dhe Kodit Penal të Kosovës”, tha Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Europian.
Projektligji i përgjimeve elektronike ka marrë mbështetjen edhe nga opozita, pasi qeveria ka marrë parasysh vërejtjet e saj.
“Ky ligj ka marrë parasysh standardet më të larta të mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve e gazetarëve, si dhe specifikon organet përgjegjëse për përgjimin. Po ashtu, ky ligj ka komisioner për mbikëqyrjen e përgjimit”, tha Ilir Deda, deputet i Vetëvendosjes.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën edhe ndryshimet në ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Prokurorinë e Shtetit, si dhe projektligjin për kompensimin e viktimave të krimit.