Ministria kosovare e Integrimit njofton se sot Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së më 27 tetor në Strazburg.
MSA-ja parasheh themelimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimin Evropian dhe paraqet hapin e parë formal drejt anëtarësimit të plotë në BE.
Me rastin e miratimit të MSA-së, Ministri i Integrimit, Bekim Çollaku u shpreh se ky moment historik për Kosovën hap faqen e re drejt qëllimit përfundimtar të anëtarësimit të Kosovës në BE. “Të gjitha institucionet kanë punuar jashtëzakonisht shumë për të ardhur në ditën e sotme. Procesi negociator për MSA-në ka filluar në vitin 2013 dhe dëshiroj të falenderoj të gjitha institucionet shtetërore për punën e tyre gjatë negocimit të MSA-së, si dhe partnerët tonë ndërkombëtarë për përkrahjen e ofruar”, ka thënë Çollaku.
Ministria për Integrim Evropian ka bërë të gjitha përgatitjet ligjore për nënshkrimin e MSA-së dhe procedimin e mëtejshëm për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.