Opozita e bashkuar në Kosovë duket se po u jep mundësinë qytetarëve të thonë fjalën e tyre, për marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe përcaktimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Kjo do të bëhet përmes një peticioni, nënshkrimi i të cilit nënkupton kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve, si dhe i bëhet thirrje qeverisë së Kosovës ta tërheqë nënshkrimin nga 4 marrëveshjet me Serbinë dhe nga ajo me Malin e Zi.
“Ky peticion është jashtëzakonisht i rëndësishëm si në mobilizimin e kundërshtimin qytetar, ashtu dhe në dërgimin e sinjalit të papranueshmërisë së këtyre marrëveshjeve të nënshkruara nga qeveria e Kosovës. Kjo qeveri, e cila nënshkruan marrëveshje që nuk janë të pranueshme nga Republika, sepse burim i sovranitetit dhe kushti i ekzistencës së Republikës janë qytetarët, nuk mund të jetë qeveri e këtij vendi”, tha Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Duke qenë se kjo nismë duket se, më shumë ka për qëllim t’i mobilizojë qytetarët, opozita ende nuk ka vendosur nëse do ta dërgojë atë në Kuvend, apo mbi procedurat që do të ndiqen më tutje.
“Është shumë e rëndësishme që ne të kemi një fakt në duar. Faktin që qytetarët nuk pajtohen me këto marrëveshje falimentuese. Do t’i ndjekim të gjitha rrugët që të mundësohet kundërshtimi ndaj tyre”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.
“Është peticioni, ai që do t’iu dërgonte një mesazh të qartë atyre që kanë nënshkruar në emër të qytetarëve, pa i pyetur ata dhe pa miratimin e tyre. Prandaj i ftoj të gjithë njerëzit, që t’i kushtojnë një minutë kohë dhe të nënshkruajnë kundër të gjithë të këqijave që po i ndodhin Kosovës”, tha Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën.
Sa iu përket qytetarëve, të cilët vunë firmat në këtë peticion, marrëveshjet me Serbinë nuk kanë treguar rezultate pozitive për Kosovën.
“Marrëveshjet e deritanishme nuk janë realizuar. Kjo bëhet vetëm që Serbia t’i rregullojë marrëveshjet me Europën, sepse Europa po bën rolin e ujkut”, tha Zeqir Shamolli, banor i Ferizajt.
“Sigurisht që jemi kundër marrëveshjeve. Për gjithçka që bëhet pa dëshirën e popullit, është detyra jonë ta kundërshtojmë, i yni dhe i çdonjerit. Për gjithçka që mendojmë se është e keqe, duhet të nënshkruajmë këtë peticion”, tha Burim Sadiku, banor i Prishtinës.
Peticioni për kundërshtimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi do të qëndrojë i hapur për disa ditë dhe ka filluar të shtrihet në të gjitha qendrat e Kosovës.