Qeveria e Kosovës me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Fiskale te Emergjencës në vlerë prej 179.6 milionë euro, e cila parashikon një sërë masash dhe përfshin disa kategori të shoqërisë dhe bizneseve, në kohën kur vendi po përballet me virusin COVID-19.
Me anë të kësaj pakoje pritet të mbështeten bizneset, pensionistë, anëtarët e skemave sociale, komunat dhe pagesa shtesë për punëtorët e administratës shtetërore. “Me vendimin e aprovuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës është autorizuar Ministria e Financave dhe Transfereve që të miratojë kriteret, afatet, kushtet, mënyrën e zbatimit si dhe të gjitha specifikat tjera të nevojshme për zbatimin e tyre, sipas parimeve të menaxhimit të financave publike”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Ndërkohë presidenti Hashim Thaci rrezikon deri në 5 vjet burg për atë që shihet si “thirrje e tij për rezistencë”.
“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet antikushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim të Qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”, deklaroi kreu I shtetit në ditën kur Qeveria Kurti mori vendim vendim për masat e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve për shkak të pandemisë.
Për këtë deklaratë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka dorëzuar një kallëzim penal kundër presidentit.