Prokuroria dhe Policia në Gjilan kanë konfirmuar se zyrtarja policore në këtë qytet ka vrarë me armë zyrtare prindërit, më pas dy vëllezërit e në fund ka kryer vetëvrasje. Mediat kanë zbuluar se bëhet fjalë për Valdete Bllacën.
Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani në një konferencë për media, tha se V.B nuk ka qenë e suspenduar dhe se ka punuar në stacionin policor në Gjilan.
“Ka qenë policie e stacionit policor të Gjilanit, police e Kosovës. Nuk ka qenë e suspenduar, për informata shtesë sigurt keni me u informuar”, tha ai.
Prokurori i rastit, Arben Kadriu tha se nuk kanë asnjë informacion për motivet e vrasjes.
“Dyshohet se një zyrtare policore në shtëpinë e saj ka vrarë nënën, babën dhe dy vëllezërit dhe pastaj veten…Ishte zyrtare policore aktive dhe dyshohet se ka përdorur armën zyrtare. Për të gjitha detajet tjera iu informojmë ndërkohë sepse jemi duke e hetuar”, tha prokurori Kadriu.
Ndërsa, nënkolonel Remzi Azemi tha se në vendngjarje kanë dal gjitha njësitet kompetente për të kryer ekzaminimet e duhura.
“Ne me të marrë informacionin për të shtëna me armë kanë dal njësitet patrulluese, pastaj njësia hetues rajonale, njësia e krimeve rajonale. Pastaj edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njësit e krimeve të rënda dhe forenzikës. Po ashtu pasi kem të bëj me një zyrtare policore siç e përmendi Prokurori në vend ngjarjes janë ftuar edhe Inspektorati policor i Kosovës. Ju lutem na kuptoni se jemi në fazën fillestare të hetimeve, ende janë duke u kryer hetimet dhe vëzhgimi i vendit të ngjarjes. Prandaj e kemi të pamundur të japim informacione më të mëdha”, tha ai. Burimet kane treguar se viktimat janë: Zeqir Bllaca (babai), Hanife Bllaca (nëna), Blerim dhe Fisnik Bllaca (vëllezërit).