Policia e Kosovës është mobilizuar së fundi në rritjen e nivelit të sigurisë pranë ndërtesës së Qeverisë. Burime të Top Channel, të afërta me kryeministrin Isa Mustafa, kanë bërë të ditur se edhe makina e kryeministrit është zëvendësuar tashmë me një automjet të blinduar.
Qeveria e Kosovës ka pranuar 12 rekomandime për rritjen e nivelit të sigurisë, ndërsa të hënën ka filluar me zgjatjen e rrethimeve të ndërtesës së Kryeministrisë. Kjo është konfirmuar për Top Channel nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi.
“Policia e Kosovës, përkatësisht sektori që merret me vlerësimin e rrezikshmërisë së ndërtesave të Qeverisë dhe ndërtesave të tjera të rëndësishme, ka marrë 12 rekomandime, të cilat i ka dorëzuar te Sekretaria e Qeverisë së Kosovës, njëra prej të cilave është edhe cënimi i sigurisë, që ka të bëjë me zgjatjen e rrethimeve. Sekretari i Qeverisë ka marrë vendim që të zbatojë menjëherë këto rekomandime”, tha Arban Abrashi, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Abrashi as nuk ka pohuar dhe as nuk ka mohuar, nëse rritja e nivelit të sigurisë në Kryeministri ka të bëjë me reagimet e fundit të subjekteve opozitare, si dhe thirrjeve për protesta të dhunshme pas nënshkrimit të marrëveshjeve të fundit me Serbinë në Bruksel.
“Ky është një vlerësim krejtësisht teknik dhe profesional i njësive përkatëse të Policisë së Kosovës. Me siguri, i kanë marrë për bazë edhe deklarimet e fundit të subjekteve të ndryshme, por, pa dashur të hyj në spekulime politike, ato janë rekomandime të dhëna nga Policia e Kosovës. Qeveria e Kosovës në këtë rast thjesht ka zbatuar rekomandimet e dhëna nga ai njësit përkatës”, tha Arban Abrashi.
Ndër rekomandimet e tjera nga Policia e Kosovës, është edhe vendosja e alarmeve, plani për evakuim emergjent të personelit, e masa të tjera shtesë.