Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson se bllokimi i punës së Kuvendit nga opozita nuk po bëhet për të kundërshtuar marrëveshjet e Qeverisë, por – sipas tij, – opozita po dëshiron të marrë pushtetin përmes dhunës.
Në një intervistë për Top Channel, Thaçi tha se nuk do të lejojë, që në Kosovë të përsëriten ngjarjet e dhunshme të vendeve të rajonit.
“Përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, mund të them lirisht se është një veprim i shëmtuar, irritues dhe neveritës prej udhëheqësve opozitarë në Kosovë. Pushteti nuk fitohet me gaz lotsjellës, as me thika dhe shufra metalike, e as me njerëz të armatosur në Kuvendin e Kosovës. Nuk do të lejojmë, që të përsëriten rastet e këqija të vendeve tjera të rajonit. Prandaj, mesazhi im është për një unitet mes të gjithë qytetarëve të vendit,”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.
Duke folur në emër të partisë më të madhe në vend, Thaçi tha se, ngjarjet e fundit në Kuvend nuk do të ndikojnë as në marrëdhëniet brenda koalicionit, e as në përshpejtimin e zgjedhjeve parlamentare.
“Mund të konfirmoj se, nuk do të ketë as zgjerim të koalicionit, as qeveri teknike, as zgjedhje të parakohshme. Por do të ketë funksionim të instutucioneve në kuptimin normal. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë në qershor të vitit 2018. Udhëheqësit opozitarë duhet të kenë durim dhe të përgatiten për ato zgjedhje”, tha Hashim Thaçi.
Thaçi u shpreh gjithashtu se angazhimi i Presidentes Atifete Jahjaga, për të diskutuar me përfaqësuesit e partive për të gjetur zgjidhje për daljen nga bllokimi i Kuvendit, është i mirëpritur, ndërsa ai konfirmoi gatishmërinë e partive të koalicionit për t’u ulur dhe për të diskutuar me opozitën.
Kryediplomati kosovar tha se, deputetët duhet t’i kthehen punës së tyre parlamentare për të miratuar ligjet e nevojshme, që i hapin rrugën vendit për anëtarësime më të shpejta në organizata të tjera, për liberalizmin e vizave dhe për anëtarësimin në Këshillin e Europës.
Një ditë para udhëtimit të tij në Paris, ku do të ndjekë nga afër procesin e votimit për në UNESCO, Thaçi u shpreh i bindur se Kosova do të marrë mbështetjen e merituar, pavarësisht fushatës së dëmshme të Serbisë.
“Jemi në prag të votimit nga Bordi Ekzekutiv, ku presim të fitojmë një mbështetje të gjerë prej vendeve anëtare. Pas tri javësh do të mbahet edhe Asambleja e Përgjithshme, ku gjithashtu presim edhe një lobim shtesë nga ana e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës. Jam optimist se, votimi kurdo të ndodhë, të mërkurën apo të enjten, do të jetë pozitiv për Kosovën”, tha Hashim Thaçi.
Thaçi deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të hapë një perspektivë të re në fushën e arsimit dhe të kulturës për të rinjtë e Kosovës.